29/4/2022

Çelet ekspozita “Ndërtimi i televizionit shqiptar në vitet 1959-1981”

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) ka prezantuar sot ekspozitën e titulluar “Ndërtimi i televizionit shqiptar në vitet 1959-1981”. 

Në këtë aktivitet qenë të pranishëm kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, Drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka dhe Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Enkelejd Joti. Në fjalën e tij për mediat, Bido nënvizoi se në dokumentet arkivore të përzgjedhura për ekspozim, gjenden evidenca mbi transmetimin e sinjalit të parë televiziv. 

"Jam shumë i lumtur të paraqes këtë ekspozitë, përmes të cilës çdokush mund të vërejë nga afër procesin e zhvillimit teknologjik të medias shtetërore shqiptare, përgjatë vjetëve 1959-1981."- tha Bido. 

Pranë ambienteve të RTSH-së, publiku i gjerë do të ketë edhe mundësinë të njihet me veprimtarinë e përbashkët të disa gjeneratave të teknikëve, drejtuesve të kohës, arkitektëve, inxhinierëve etj, që u përfshinë në këtë sipërmarrje të vështirë dhe të kushtueshme për kohën. 

Krahas materialeve arkivore, përfshihet edhe prezantimi i shumë objekteve teknike, të cilat kanë qënë produkt i punës televizive ndër vite. Ekspozita do të qendrojë e hapur deri ditën e diel, datë 1 maj. Hyrja është e lirë.