14/12/2023

Stefanaq Pollo në albumin e tij historik

Në përkujtesë të 100-vjetorit të lindjes së historianit Stefanaq Pollo, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka shfaqur një ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë e tij akademike.

Në këtë aktivitet jubilar të zhvilluar në sallën "Aleks Buda" pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASH), në diskutimin e moderuar nga Prof. Dr. Neritan Ceka, morën pjesë dhe referuan akademikët Ana Lalaj, Ferit Duka, Kaliopi Naska, Ksenofon Krisafi, Lush Culaj, Marenglen Verli, Marenglen Kasmi, Paskal Milo, Valentina Duka dhe Drejtori i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në DPA, Endrit Musaj.  

Në ekspozitën e përgatitur me materiale të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), paraqiteshin informacione në lidhje me angazhimin e Pollos në drejtim të lëvrimit të shkencës së historisë, me vlerësimet e shumta për kontributin e tij akademik, si edhe me përmasën e tij njerëzore, përmes një narrative familjare në celuloid. Mes dokumenteve të përzgjedhura bënin pjesë të poshtëlistuarat:

Propozim i Kryeministrisë për dekorimin e Stefanaq Pollos me “Medaljen e Kujtimit”; Urdhëresë drejtuar Kryeministrisë që informon se Stefanaq Pollo, profesor pranë Institutit Pedagogjik, emërohej nënkryetar i Institutit të Shkencave; Propozim i Ministrisë së Arsimit për përfshirjen e Stefanaq Pollos në strukturën e parë të “Akademisë së Shkencave”; Relacion mbi dhënien e çmimeve kombëtare, çmimi i “Republikës” klasi i I-rë; Dekorim me çmimin “Shërbime të shquara shtetërore” klasi i II-të; Stefanaq Pollo i propozuar për titullin “Profesor”; Dekret mbi akordimin e “Urdhrit të punës” klasi i II-të; Propozim i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për vlerësimin e Stefanaq Pollos me “Urdhrin Naim Frashëri” klasi i I-rë.

Në përfundim të aktivitetit, u mbajt një fjalë përmbyllëse nga i biri i Stefaq Pollos, Dr. Genc Pollo, si edhe u shfaq një material filmik mbi jetën e akademikut.