15/7/2024

Monumentet e dëmtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore

Me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i është bashkuar aktivitetit të organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK), në lidhje me objektet e kultit të dëmtuara, si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në ambientet e IKTK-së, ishin të pranishëm përfaqësues të këtij institucioni, Drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore (ASHV) pranë DPA-së, Lorenc Agalliu, arkitektët Artan Shkreli dhe Florian Nepravishta, si edhe ekspertëve të fushës e studentë. Në fjalën e tij të rastit, Drejtori i ASHV-ve shprehu gatishmërinë e DPA-së për shpalosjen e pasurisë dokumentare që zotëron, me qëllim ruajtjen e kujtesës kombëtare. "Në këtë Vit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, aktivitete të tilla janë pjesë e programit shtetëror. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka qenë, është dhe do jetë gjithmonë e hapur për të ofruar bashkëpunimin për përgatitjen e ekspozitave, që i vijnë në ndihmë ruajtjes së kujtesës kombëtare", tha Agalliu.

Në ekspozitën "Monumentet e dëmtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore", DPA-ja paraqiti disa materiale dokumentare dhe fotografike që dëshmonin dëmet e pësuara nga objektet e kultit, si rezultat i luftimeve. Përmbledhtazi, në mesin e materialeve të përzgjedhura, gjendeshin:

Foto të xhamisë së Et'hem Beut, viti 1944;

Foto të xhamisë së Bargjinit në vitin 1944;

Lista e objekteve të kultit të dëmtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, viti 1944.

Ndërkaq, me rastin e këtij viti jubilar të rëndësishëm në historinë kombëtare, DPA-ja është e angazhuar përmes shfaqjes në Kinemanë Verore të 10 filmave nga kinematografia shqiptare, në shenjë përkujtese të betejës së vendit për çlirimin nga pushtuesit nazifashist. Po ashtu, DPA-ja do të prezantojë një sërë ekspozitash kudo nëpër Shqipëri, do të publikojë albume fotografike dhe botime, nën tematikën e betejës të të parëve për liri.