8/3/2024

Thirrje për Konferencën e VIII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës për vitin 2024 dhe për financimin e botimeve për vitin 2025

Data 8 qershor e këtij viti shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë tonë, themelimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, institucionit të ruajtjes së memories sonë kolektive kombëtare. Përvjetori i 75-të i DPA-së do të përkujtohet përmes një serie aktivitetesh në muajt në vijim dhe do të kulmojë me aktivitete të karakterit shkencor, përmes Konferencës VIII Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Me këtë rast, DPA-ja ka kënaqësinë të ftojë studiuesit, ekspertët e arkivave të trojeve shqiptare dhe të mbarë rajonit, si edhe çdo të interesuar të bashkësisë shkencore, për të marrë pjesë në Konferencën e VIII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës dhe në botimet e vitit 2025.

Kësaj here, DPA-ja prezaton një risi, që lehtëson qasjen e të interesuarëve në procedurën e aplikimit. Për të dyja këto thirrje, abstraktet e punimeve do të mund të dërgohen drejtpërdrejt në adresën botime.arkiva.gov.al, ku aplikantët mund të depozitojnë kërkesën e tyre për pjesëmarrje.

Konferenca e VIII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të mbahet në Elbasan më datë 9 qershor 2024, si bashkëpunim mes DPA-së, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) dhe Bashkisë Elbasan. Në punimet e kësaj konference mund të marrin pjesë edhe arkivistë të rrjetit arkivor kombëtar, apo arkivistë të profileve të tjera, historianë, studentë dhe nëpunës të institucioneve që ruajnë, ose ndërveprojnë për ruajtjen e kujtesës kolektive.

Temat e propozuara për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, të drejtat e njeriut dhe me historinë e arkivave apo të institucioneve arkivore në trevat e banuara nga shqiptarë. Në përputhje me ngjarjet jubilare të sivjetshme, boshti tematik i konferencës do të përqendrohet në:

• 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë dhe fundit të Luftës së Dytë Botërore;
• 115-vjetorit të Kongresit të Elbasanit;
• 75-vjetorit të themelimit të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH).

Konferenca e VIII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, zhvillohet në vazhdën e edicioneve të kaluara të zhvilluara në Tiranë, në Prishtinë, në Shkupi, në Sarandë, në Tuzi, në Boletin dhe në Manastir.

Ndërkaq, janë hapur thirrjet për financimin e botimeve nga çdokush që është i interesuar, Brenda dhe jashtë vendit. Deri në pesë libra, në kolanat “Përmbledhje dokumentesh”, “Monografi arkivore” dhe “Udhërrëfyes arkivor”, do të financohen tërësisht nga fondi i posaçëm i DPA-së. Botimet që do të miratohen këtë vit, do të botohen në vitin 2025, e për këtë arsye, udhëzohet të aplikohet për përvjetorë të rëndësishëm, si:

• 100-vjetori i shpalljes së Shqipërisë “Republikë”;
• 100-vjetori i shpalljes së Ahmet Zogu “President i Shqipërisë”;
• 100-vjetori i themelimit të Bankës së Shqipërisë;
• 100-vjetori i lindjes së Martin Camaj;
• 100-vjetori i vdekjes së Luigj Gurakuqit;
• 100-vjetori i krijimi të Institutit Femëror "KYRIAS".

Abstraktet e punimeve për të dyja thirrjet do të pranohen deri më datë 5 prill 2024 në shqip dhe në anglisht, në faqen botime.arkiva.gov.al.