28/11/2023

Dy ekspozita për 111-vjetorin e Pavarësisë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar dy ekspozita që hedhin dritë mbi figurat më të çmuara të kombit, të cilat kanë kontribuar në pavarësimin e Shqipërisë.

Në kuadër të ceremonisë së përvitshme të ngritjes së Flamurit, u shfaq në Vlorën e Pavarësisë ekspozita e titulluar "Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në dokumentet arkivore".

Në këtë ceremoni qenë të pranishëm presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Bajram Begaj, kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Z. Albin Kurti, ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit në Kosovë, Z. Hajrulla Çeku dhe kryetarja e Parlamentit shqiptar, Znj. Lindita Nikolla. Materialet dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) dhe të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), ilustruan angazhimin e anëtarëve të Komitetit në drejtim të mbrojtjes së shtetit të pavarur shqiptar dhe të arritjes së lirisë së Kosovës.  

Në këtë datë me domethënie historike për mbarë vendin, në një tjetër qendër të shqiptarisë, në Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me Unionin e Bashkive Shqiptare në Rajon, u shfaq një ekspozitë që dëshmon rolin dhe kontributin e Federatës "Vatra" në pavarësinë e vendit amë. Në këtë organizim morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, shqiptarë nga mbarë diaspora dhe kryebashkiakët e 125 bashkive nga trojet shqiptare, përfshirë këtu edhe arbëreshët e Italisë.

Kjo ekspozitë, që do të qendrojë e hapur për publikën deri në javën e ardhshme, rrëfen përpjekjet e pandalshme të vatranëve, edhe në lidhje me ruajtjen dhe konsolidimin e integritetit të Shqipërisë së mëvetësuar në arenën ndërkombëtare.