28/7/2023

Vlora në dokumentet e AQSH-së

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës, ka prezantuar sot ekspozitën “Vlora në dokumentet e AQSH".

Në çeljen e kësaj ekspozite dokumentare dhe fotografike shfaqur përgjatë shëtitores buzë detit, qenë të pranishëm kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, drejtori i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në DPA, Dr. Endrit Musaj, drejtori i Muzeut Historik të Vlorës, Skënder Spahiu, dashamirës të historisë dhe qytetarë të shumtë.

Përqark Lungomare-s së qytetit, publiku vendas dhe pushues të shumtë sezonalë, patën mundësinë të mësonin mbi veprimtarinë kulturore dhe shoqërore të Vlorës, si edhe të këqyrnin nga afër disa imazhe të godinave institucionale të rangut lokal.

Materialet e ekspozuara kishin si datë origjine fillimin e shek. të XX-të dhe shriheshin në kohë deri në fund të Luftës së II-të Botërore. Mes dokumenteve të përzgjedhura, bënin pjesë të poshtëlistuarat:

• Lista e nëpunësve të Prefekturës së Vlorës;

• Ndërtesa e Bashkisë së Vlorës, para vitit 1944;

• Rregulla për punonjësit e Policisë së Vlorës;

• Tabelë me numrin e popullsisë së Prefekturës së Vlorës, nëntor 1923;

• Ndërtesë e Bashkisë së Vlorës, para vitit 1944;

• Ndërtesë e Prefekturës së Vlorës, para vitit 1944;

• Planimetri i katit përdhes të Muzeut Arkeologjik dhe Historik të Vlorës “Zogu I”;

• Planvendosje e Muzeut Arkeologjik dhe Historik të Vlorës;

• Fotografi nga ceremonia e inagurimit të muzeut në Vlorë me pjesëmarrjen e Xhafer Ypit, Ali Asllanit etj;

• Fotografi e fasadës së Muzeut Arkeologjik dhe Historik të Vlorës “Zogu I”.

Ekspozita do të qendrojë e hapur deri ditën e nesërme, datë 29 korrik. Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së.