15/6/2023

Roli i Gjeneralit Thomson në Shqipëri

Me rastin e përvjetorit të vdekjes së Kolonelit Thomson, Ambasada e Holandës në Shqipëri në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), prezantuan një ekspozitë dokumentare dhe fotografike kushtuar figurës së ushtarakut holandez.

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në shëtitoren “Taulantia” në qytetin e Durrësit, qenë të pranishëm ambasadori holandez, Reinout Vos, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, Drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), Armando Boçe, historianë dhe qytetarë të interesuar. Fjala përshëndetëse u mbajt nga kryebashkiakja Sako, e cila vlerësoi rolin e Thomson-it gjatë qendrimit në vendin tonë. Fjalën e rastit e mori ambasadori Vos që nënvizoi rëndësinë dhe kontributin e pashlyeshëm të gjeneralit holandez.

Përmes ekspozitës së shfaqur, publiku pati mundësinë të përftonte informacione mbi:

• Origjinën, fëmijërinë, edukimin dhe pasionet e Thomson-it;

• Zbarkimin e tij për herë të parë në Shqipëri në nëntor të vitit 1912;

• Shërbimin e tij në krye të Xhandarmërisë;

• Emërimin si Komisar të Jashtëzakonshëm të Shqipërisë së Jugut (mars 1914);

• Ecurinë e karrierës ushtarake, titujt dhe dekoratat e akorduara;

• Thëniet e personaliteteve shqiptare mbi Thomson-in (poezia e Nolit, fjalët e Skënder Luarasit);  

• Kryengritjen e Durrësit më 15 qershor 1914, rënien e Thomson-it gjatë përleshjeve.

Po ashtu, pjesë e ekspozitës ishin edhe foto nga misioni i parë paqeruajtës në Shqipëri. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Kulturës për vitin 2023. Ekspozita do të qendrojë e hapur deri më datë 18 qershor.