30/6/2023

Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) nuk ngurroi t’i bashkohej festës në Gjirokastrën e kulturës dhe të zallit.

Në kuadër të edicionit të XI-të të Festivalit Folklorik Kombëtar, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Gjirokastrës, DPA-ja ka prezantuar ekspozitën fotografike "Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve".

Kjo ekspozitë kryen një retrospeksion në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë përmes narrativës kostumografike.

Në mjediset e pazarit të qytetit, në pikëtakimin e organizimeve të shumta festive, dashamirës të artit dhe të kulturës, vizitorë të huaj, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosnin laryshinë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare. Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të:

Figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare);

Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut;

Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e mesme;

Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e jugut;

Kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve;

Kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume të gocave).

Kjo ekspozitë shfaqet për herë të parë me rastin e Festivalit Folklorik, që çeli siparin më 24 qershor. Ky aktivitet, që përmbyllet të shtunën, më 1 korrik 2023, vjen pas 8 vjetësh mungesë, në kuadër të angazhimit për të promovuar pasurinë folklorike kombëtare. Në një kohëzgjatje prej 8 netësh janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, sikurse: potpuritë e këngëve të djepit, të dasmave, të gëzimeve; vallet e ritet; parada e kostumeve popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe nga diaspora.