9/6/2023

Një gjuhë, një histori, një komb

Nisma e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për çeljen e Këndeve Arkivore kudo ku jetojnë shqiptarë, është shtrirë së fundmi edhe në Manastir. Në bashkëpunim me autoritetin lokal, Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, DPA-ja mundëson tanimë qasje të njëjtë në dokumente për studiuesit e atjeshëm.

Inaugurimi i Këndit Arkivor u krye nga kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, nga drejtori i Muzeut të Alfabetit, z. Zait Aliu dhe nga drejtuesi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skënder Asani. Në shpjegimin e hapave që duhen ndjekur për regjistrimin e studiuesve dhe për adresimin e kërkesave të tyre, Bido nënvizoi se falë Këndeve Arkivore, të stacionuara në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, çdo studiues merr shërbim ekuivalent, sikur të ishte i pranishëm në Sallën e Studimit në Tiranë.

Të pranishëm në këtë përurim, ku u shpall edhe hapja e punimeve të Konferencës së VII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, qenë të pranishëm z. Hysen Azemi, përfaqësues i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, z. Izmit Nura, përfaqësues i Agjencisë së Mërgatës, z. Mehmet Prishtina, përfaqësues i Fondacionit Hasan Prishtina dhe z. Oliver Qiriazi, përfaqësues i familjes Qiriazi.

Në vendzhvillimin e punimeve të Kongresit të vitit 1908 që përmes unifikimit të alfabetit, shënoi një ndodhi me rëndësi të përveçme në kalendarin historik kombëtar, DPA-ja ka rishfaqur ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”. Kjo ekspozitë përvijon rrugëtimin dhe orvatjet për unifikimin e alfabetit (14-22 nëntor 1908) drejt miratimit të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe (20-25 nëntor 1972).

Ndërkaq, ditën e nesërme, më 10 qershor 2023, do të zhvillohet dita e dytë e punimeve të Konferencës që vjen në vazhdën e ndërveprimit mes institucioneve organizatore. Kjo Konferencë mbledh ekspertë dhe studiues të arkivave të këtej dhe përtejkufirit për të diskutuar mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm. Manastiri është ndalesa e radhës për edicionin e përvitshëm të Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që është zhvilluar më herët në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Sarandë, Tuz dhe Boletin.