4/11/2022

Nëntori i dytë i shqipes, nga “ABC”-ja gjer në standartizim

Me rastin e 50-vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Universitetin “Fan Noli” në Korçë (UNIKO), paraqiti sot ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”.  

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në orën 10:30 në sallën e Bibliotekës së Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë, qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, rektori i UNIKO-s, Prof. Dr. Dhimitër Bello, akademikë të universiteteve nga mbarë vendi dhe përfaqësues të institucioneve bashkëpunuese.

Fjala përshëndetëse u mbajt nga rektori Bello, i cili vlerësoi kontributin e DPA-së në përkujtimin e trajektores së përpjekjeve për standartizimin e shqipes, që zunë fill me Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe u ndoqën me ngjarjen kulmore të përcaktimit të parimeve drejtshkrimore prej Kongresit të vitit 1972. “Të gjithë e dini rëndësinë e Kongresit të Drejtshkrimit, për unifikimin e gjuhës shqipe në një të vetme. Falenderoj Z. Bido që zgjodhi për të shfaqur këtë ekspozitë në Korçë. Sapo biseduam për nënshkrimin e një marrëveshjeje për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve. Do të shkëmbejmë ide me drejtuesit e fakulteteve edhe për hapjen e një dege studimi për arkivistikë.”- përfundoi Bello.  

Në daljen e tij për mediat, Bido u shpreh falenderues për bashkëpunimin me institucionet lokale dhe nënvizoi se ky ndërveprim është i nevojshëm për shpalosjen e identitetit kombëtar. Kreu i DPA-së kumtoi se kjo ekspozitë, e prezantuar fillimisht në Korçë, do të rishfaqet nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, së bashku me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si edhe prej Kryeministrisë. “Është kënaqësi që ne e nisim nga Korça rrugëtimin e një prej 6 ekspozitave të përgatitura për muajin nëntor. Kjo është një ekspozitë për një datë shumë të rëndësishme dhe nuk besoj se nuk ka më mirë sesa Korça për të rrëfyer identitetin kulturor dhe kombëtar tonin. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me universitetin, me Prof. Bellon, me Bibliotekën e Korçës dhe me shumë institucione lokale, me qëllim që të mund të përçojmë identitetin tonë kombëtar siç duhet. Është një ekspozitë kulmore e aktiviteteve qendrore për përvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit. Do të jetë ekspozita kryesore që do të mbajë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, së bashku me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës më datë 10 nëntor. Po ashtu, ekspozita dhe do të qendrojë më pas për një javë në COD, në Kryeministri.”- shpjegoi Bido.

Ekspozita e përgatitur me dokumentet e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), përvijon rrugëtimin dhe orvatjet për unifikimin e alfabetit (14-22 nëntor 1908) drejt miratimit të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe (20-25 nëntor 1972). Materialet e ekspozuara ndërtojnë një narrativë binare, bazuar në dokumente historike të vendimeve të kongreseve përkatëse dhe në foto të figurave me rol të spikatur në punimet e kryehershme për çështjen e “ABC”-së. Mes dokumenteve të përzgjedhura bëjnë pjesë të poshtëpërmendurat:

• Vendim i Komisionit të Alfabetit për çështjen e “ABC”-së, përfshirë foto me anëtarët e këtij organi;
• Lista emërore e delegatëve që kanë marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, të ardhur prej qyteteve të vendit, si edhe prej kolonive të mërgimit;
• Korrespondencë mes Arqipeshkvisë së Shkodrës dhe Arqipeshkvisë së Durrësit mbi shtypjen e librave sipas udhëzimeve të Kongresit të Manastirit, krahas fotos së pjesëmarrësve në punimet e këtij organi;
• Procesverbale të mbledhjes së V-të dhe të VI-të të Komisionit për Çështjen e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit;
• Rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe të shkruar, miratuar nga Komisia Letrare, bashkëlidhur fotos së anëtarëve të kësaj shoqërie;
• Informacion i Ministrisë së Arsimit mbi Kongresin e Drejtshkrimit;
• Rezoluta dhe lista e firmëtarëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe;
• Urdhër i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.

Aktiviteti vijoi me mbajtjen e një tryezë të rrumbullakët rreth tematikës “Prirje të standartit nën optikën e zhvillimeve të sotme të gjuhës”. Çështjet e parashtruara për shtjellim dhe për diskutim ishin: “50 vjet pas Kongresit të Drejtshkrimit”; “Gjuha standarte dhe shkolla”; “A ka nevojë për ndryshime të rregullave të drejtshkrimit?”; “Trysnia e gjuhëve të huaja në përdorimin e gjuhës standarte”; “Trysnia e përdorimeve të varianteve dialektore përmes formave të artit (teksteve letrare të mirëfillta, teksteve të këngëve)”; “Problematika të dygjuhësisë në drejtpërdorimin e gjuhës standarte”.

Në këtë hapësirë shkëmbimi pikëpamjesh morën pjesë përfaqësues të Akademisë së Studimeve Albanologjike, të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë, të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të Universitetit “Ismail Qemali”, të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, të Universitetit “Eqrem Çabej” dhe të Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.

Organizimi i kësaj veprimtarie mori shtysë nga “Java e Drejtshkrimit” (1-4 nëntor 2022), që mblodhi në bashkëveprim institucionet universitare dhe DPA-në, si organin përgjegjës për administrimin, ruajtjen dhe promovimin e historisë kombëtare.