22/11/2022

Muzeu Arkivor, projekti më inovator në vend

Pas një procesi ideimi të hollësishëm dhe një pune të palodhur, merr trajtë projekti më inovator i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA), Muzeu Arkivor.  

Në ambientet e Muzeut më të ri në Shqipëri, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të.

Thënë këtë, krahas qëllimit didaktik që ka prirë edhe përzgjedhjen rigoroze të materialeve historike, Muzeut do të mund t’i qaset si risi edhe grupmoshave të reja, në sajë të teknikave interaktive.

Ky muze ka si qëllim ekspozimin e trashëgimisë  materiale dhe jomateriale kombëtare dhe më gjerë, me qëllim edukimi, studimi dhe promovimi të trashëgimisë. Muzeu arkivor do të jetë një vlerë e shtuar e vendit  për të promovuar trashëgiminë tonë dhe një pikë e re atraksioni për turistët.

Kështu, ky muze, i cili pritet të hapë dyert së afërmi, do të shërbejë si një qendër shumëfunksionale edukimi, duke ndërthurur novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.