25/5/2023

Mehdi Frashëri, sovrani relativ

Me rastin e 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të burrështetasit, të shkrimtarit dhe të mendimtarit, Mehdi Frashëri, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka paraqitur një ekspozitë dokumentare dhe fotografike kushtuar jetës dhe veprimtarisë së kësaj figure.

Të pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në vilën Frashëri në këtë kuadër jubilar, ishin akademikë, historianë dhe qytetarë të shumtë. Sipari i aktivitetit u hap me inaugurimin e përmendores së Frashërit, një vepër e realizuar prej skulptorit Agim Rada. Fjalën përshëndetëse e mbajti z. Edison Çelo, pasardhës i ish-shtetarit. Çelo foli mbi rëndësinë e hulumtimit të rolit të Frashërit në jetën diplomatike she shoqërore të vendit.  

Në ekspozitën e përgatitur me materiale të AQSH-së, të pritur me mjaft interes nga të pranishmit, qenë të përzgjedhur ndër të tjera  materialet e mëposhtme:

• Njoftim në formë telegrami dërguar Valiut të Manastirit mbi emërimin e Mehdi bej Frashërit si kajmekan i Ohrit;

• Foto e Mehdi beut më 8 korrik 1912;

• Mehdi Frashëri miratohet si anëtar i qeverisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ;

• Vendim që lejonte Mehdi Frashërin të përfaqësonte shtetin shqiptar në takimet e zhvilluara në Firence për çështjen e caktimit të kufijve ;

• Idenë e zhvillimit të tregtisë së duhanit, Mehdi Frashëri e mbron edhe gjatë bisedimeve parlamentare;

• Mehdi Frashëri zgjidhet kryetar i Komisionit Kombëtar të Turizmit;

• Ministri i Punëve Botore dhe i Bujqësisë Frashëri kërkon që të mblidhet nga prefekturat taksa e rrugëve, me qëllim nisjen e ndërtimeve të rrugëve lidhëse midis qyteteve ;

• Pas një krize parlamentare, në tetor 1935 Mbreti jep besimin për një qeveri të re me Mehdi Frashërin kryeministër;

• Mehdi Frashëri betohet në tetor 1943 si anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës;

• Fjalimi i mbajtur më 28.11.1943 në Radio Tirana etj.

Aktiviteti u përmbyll me shpërndarjen e librit të Frashërit të titulluar "Kujtime (vitet 1913-1933). Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së.