17/8/2023

Korçë, çelet ekspozita me mbi 100 foto të kostumografisë shqiptare

Në kuadër të Festës së përvitshme të Birrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës, DPA-ja ka prezantuar ekspozitën fotografike "Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve".

Përgjatë pedonales, në hapësirën e qytetit të frekuentuar më dendur, dashamirës të artit dhe të kulturës, vizitorë të huaj, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosin kostumografinë e larmishme të trevave shqiptare.

Mes materialeve të përzgjedhura të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare), si edhe burra, gra dhe fëmijë me kostume popullore të trevave në jug dhe në veri të vendit, si edhe në Shqipërinë e Mesme.

Kjo ekspozitë pati premierën në Gjirokastër, me rastin e Festivalit Folklorik Kombëtar. Nisur nga interesi i lartë i publikut, DPA-ja ndërmori një tur shëtitës të ekspozitës, e cila është shfaqur edhe në Tepelenë, në Krujë dhe në Shkodër.