22/11/2023

Kongresi i Manastirit, mishërues i vlerave europiane të shqiptarëve

Në kuadër të kremtimit të Ditës së Alfabetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) mori pjesë në punimet e akademisë solemne të mbajtur në Shkup, për përurimin e pullës postare me figurat e motrave Qiriazi.  

Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën “W. Wilson” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë dhe titullari i ministrisë së Sistemeve Politike dhe të Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Z. Artan Grubi, drejtuesi i ITSHKSH-së, Z. Skënder Asani, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA), Z. Ardit Bido, përfaqësues të trupave diplomatike të akredituara në Maqedoninë e Veriut, drejtoresha e Postave dhe e Filatelisë, Znj. Bujare Abazi dhe pasardhësja e familjes Qiriazi, Rozi Dako.  

Në fjalën përshëndetëse, Asani foli për simbolikën përbashkuese të 22 nëntorit, që është shpallur festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut. “22 nëntori nuk është një kremte dosido për një ngjarje periferike. Më 22 nëntor iu vu emri kombit tonë. Kishim kaluar disa shekuj nën sundim osman, me ndarjen në disa vilajete, me disa dialekte, që kishin prodhuar një gjendje heterogjene në kombin tonë. Gjuha shqipe u bë kriter i identitetit. Duhet theksuar se kjo ditë është festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Në këtë republikë, ndahet çmimi ‘22 nëntori’. Sivjet, në ditën e alfabetit, i bëmë bashkë tri Akademitë e Shkencave të rajonit. Është simbolikë dhe ogur i mirë, pasi kështu i lemë pas ndarjet dhe paragjykimet e së kaluarës. U bëmë bashkë duke i folur njëri-tjetrit me gjuhën e shkencës”, tha Asani.

Në fjalën e mbajtur, Bido iu referua vlerave europiane që mishëron Kongresi i Manastirit, duke vënë theksin tek vëllazëria fetare, kompromisi dhe barazia gjinore. “22 nëntori është ditë e madhe e kombit, jo vetëm se ishte kulminimi i Rilindjes Kombëtare që kishte nisur 30 vite më herët, duke sendërtuar një identitet unik kombëtar, pa të cilin nuk do të kishte kuptim veprimtaria politike që solli më pas Pavarësinë. Është ditë e madhe edhe për shkak të vlerave europiane që shqiptarët treguan në këtë identitet të ri të prodhuar. Kjo përfaqësohet më së miri në Kongresin e Manastirit, sepse ne sot kremtojmë edhe Europën, që nuk është koncept abstrakt, Europa janë vlerat. Sendërtoi vlerat europiane të shqiptarëve dhe mund të themi me gojën plot se ne sot kremtojmë Europën e shqiptarëve, pa të cilën Europa nuk mund të jetë e plotë. Sepse në Kongresin e Manastirit, 115 vite më parë, ishte Europa e vëllazërisë fetare, ku komunitetet fetare shqiptare, të pesta, u bashkuan për të gjetur një dakordësi se cili do të ishte alfabeti i gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit kishte vlerën europiane të kompromisit. Shqiptarët arritën kompromisin e vështirë, për të ndarë vetëm dy alfabete, se cilat do të ishin ato me të cilat do të shkruhej gjuha shqipe. Nga ana tjetër, kishte vlerën europiane të barazisë gjinore. Le ta gjejmë një kongres të fillesave të shekullit të kaluar, ku gratë ishin delegate me të drejta të plota. Ky Kongres tregoi vizion për vendosjen e dy alfabeteve të gjuhës shqipe, pa pasur rrezikun e përçarjes së kombit. Pra, përfaqëson Europën e elitave kulturore, kombëtare dhe politike, që dinë të vendosin pa prodhuar risqe, por duke prodhuar identitet në të ardhmen. Ne sot tregojmë më së miri që identiteti ynë nuk është identitet kundër një tjetri. Por, është një identitet pro”, tha Bido.

Kreu i DPA-së shtoi se pikërisht përmes sendërtimit të vlerave europiane të shqiptarëve, është mundësuar tejkalimi i kufijve kulturorë, pavarësisht shteteve. “Këtu në Maqedoninë e Veriu është vendi më tipik për ta treguar, ku me të drejtë mund të ekzistojë frika se identiteti shqiptar mund të shkaktojë diçka të keqe tek popullsia tjetër, shumica e këtushme. Jemi sot në pikën që shqiptarët mund të bashkohen në Shkup për të kremtuar identitetin e tyre të përbashkët, pa cënuar aspak identitetin e tjetrit. Këto vlera na mundësojnë të jemi pa frikë, pa droje, duke respektuar kufijtë shtetërore, në kufij kulturorë që nuk ekzistojnë mes shqiptarëve kudo ku jetojnë,” përfundoi Bido.

Gjatë fjalës së tij, zëvendëskryeministri i parë Grubi se në sajë të sesioneve shkencore kushtuar Ditëve të Alfabetit, hidhet dritë mbi kontributin e shumë albanologëve, të panjohur nga brezat e rinj. “Dita e alfabetit të gjuhës shqipe, përveçse shënon një datë të arrirë të kombit shqiptar, bashkë me shpalljen e Pavarësisë dhe Lidhjen e Prizrenit. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ka rëndësi të veçantë, pasi e shpallëm ditë pushimi, e shpallëm 22 nëntorin si çmim. Këtë vit në tërësi, të gjitha manifestimet dhe aktivitet për 22 nëntorin, mbulohen nga qeveria e Maqedonisë së Veriut. Është kënaqësi që bashkë me Institutin, po rrumbullakosim edicionin e 5-të kushtuar Ditëve të Alfabetit. Me këto aktivitete hedhim dritë në kontributin e shumë albanologëve, për të cilët dihet shumë pak, sidomos mes brezave të rinj. Sot në ditën kur Kongresi i Manastirit u përmbyll dhe solli vendimin për shkronjat shqipe, reflektojmë kontributin e motrave Qiriazi, mësueset e para të shkollës së vashave, të edukuara me atdhedashuri,” tha Z. Grubi.  

Sipas Znj. Abazi, krijimi i pullës postare me figurat e motrave Qiriazi kishte për qëllim të komunikonte rëndësinë e rolit të grave në jetën publike dhe shoqërore, atëherë dhe sot. Kjo pullë gjendet e shtypur në 6 mijë kopje , me vlerë nominale prej 36 denarësh.

Ky aktivitet përmbylli sesionet shkencore, prezantimet e publikimeve dhe të ekspozitave dokumentare, të mbajtuara përgjatë 9 ditëve nga ITSHKSH-ja, me rastin e 115-vjetorit të punimeve të Kongresit të Manastirit.