1/4/2023

Kënd i ri Arkivor, arbëreshët më pranë Shqipërisë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Shën Mitrit, ka çelur Këndin më të ri Arkivor në këtë vatër arbëreshe. Falë kësaj hapësire të re studimore, bashkëkombasit arbëreshë do mund t’u qasen dokumenteve historike falas, sikurse të ishin të pranishëm në Sallën e Studimit në Tiranë.

Inaugurimi i Këndit Arkivor dhe prezantimi i platformës online u kryen nga kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido. Në cilësinë e zyrtarit lokal qe i pranishëm kryebashkiaku Ernesto Madeo. Gjithashtu, në aktivitet morën pjesë presidenti i Akademisë Cosentina, Antonio D’Elia, Emanuele d'Amico, drejtor i Qendrës Kulturore, si edhe albanologët Francesco Altimari dhe Matteo Mandala.

Në sajë të lehtësimit të aksesit në dokumentacion, jo vetëm inkurajohen studiesit, por shteti shqiptar paraqitet për herë të parë me një prani institucionale mes arbëreshëve.

Prej këtyre Këndesh Arkivore, çdo studiues merr shërbim ekuivalent, pavarësisht vendodhjes, duke evokuar kështu unitetin e kombit. Për të shfrytëzuar materialet arkivore, hulumtuesi duhet të regjistrohet më parë në rrugë online në adresën katalogu.arkiva.gov.al, pa qenë e nevojshme të paraqitet në mjediset e Këndit Arkivor.

Më pas, kërkesa e depozituar prej tij për hapjen e një llogarie, do të aprovohet brenda harkut kohore të një dite pune. Ndërkohë, përmes postës elektronike aplikuesi do të pajiset me fjalëkalimin që i mundëson aksesimin e dosjeve të porositura, në ditën e përzgjedhur nga vetë ai. Këto materiale qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, kohë gjatë të cilës studiuesi mund t’i konsultojë në Këndin Arkivor.

Kjo nismë e DPA-së ka trajtë mbarëkombëtare dhe është shtrirë deri më tani në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këndi Arkivor i Shën Mitrit është i pesti në radhë në territorin e Italisë së Jugut, pas hapësirave studimore të çelura në majin e shkuar në Frasnitë, në Universitetin e Kalabrisë, në atë të Palermos si dhe Këndin në Horën e Arbëreshëvet (Arkivi Dioqezan).

Aktiviteti i sotëm u mbajt në kuadër të ditës së rilindasit të shquar, Jeronim de Radës. Në përmbyllje, u inaugurua në shenjë përkujtimore “Guri i Don Xhirollëmit”. Po ashtu, u shpërnda për pjesëmarrësit një kopje digjitale e koleksionit të “L’Albanese d’Italia” (1848), gazetës së parë shqiptare të themeluar në Napoli nën drejtimin e De Radës.