5/5/2023

Jubileu i Gjykatës së Lartë në lupën e AQSH-së

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka bashkëpunuar me Gjykatën e Lartë për përgatitjen e një ekspozite me materiale dokumentare dhe fotografike mbi historikun e këtij institucioni.

Çelja e ekspozitës së përgatitur me materialet e AQSH-së u zhvillua në ambientet e jashtme të Gjykatës, ku kalimtarët dhe publiku i interesuar patën mundësinë të mësonin më shumë mbi veprimtarinë institucionale të këtij organi. Përmbledhtazi, mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim bënin pjesë dokumentet e poshtëpërmendura:

•Kanuni i Zhurisë;
•Kanuni për Gjykatat e Drejtësisë në Shqipërisë dhe lista me gjykatat funksionale në vitin 1912;
•Ligji për organizimin e gjyqeve dhe gjykatat e Sheriatit;
•Rregullore mbi veshjet e gjyqtarëve, 21 mars 1921;
•Statuti i Zgjeruar i Lushnjes i vitit 1922, Kushtetuta e parë demokratike;
•Akte emërimi dhe shkarkimi gjyqësor në Gjykatën e Diktimit;
•Fotografi nga gjyqësori gjatë periudhës socialiste;
•Dënime politike me vdekje.

Kjo ekspozitë me dokumente historike dhe piktura po shfaqet në vargun e aktiviteteve të tjera publike, të hapura dhe të mbyllura, që priten të zhvillohen në kuadër të 110-vjetorit të Gjykatës së Lartë.   Ekspozita do të qendrojë e hapur deri ditën e nesërme, datë 6 maj 2023. Krahas materialeve dokumentare, ekspozitës i janë bashkuar punimet artistike të nxënësve të shkollës artistike "Jordan Misja", të gjimnazit "Sami Frashëri", si edhe të disa shkollave 9-vjeçare të Tiranës.