25/11/2022

Gjuha amë, nga ABC-ja në drejtshkrim

Me rastin e konferencës mbarëshqiptare për gjuhësinë gjatë “Ditëve të albanologjisë” (21-26 nëntor), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka rishfaqur në Tiranë ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”.

Të pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar në Sallën e Albanologjisë të Pallatit të Kongreseve, ora 11:00, ishin koordinuesi i konferencës, Dr. Valter Memisha, rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA), Dr. Luan Përzhita, drejtor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Dr. Hysen Matoshi, zëvendësministri i Arsimit dhe i Sportit, Endrit Hoxha, zëvendëskryetari i Bashkisë Tiranë, Andi Seferi etj. I pranishëm si përfaqësues i DPA-së ishte Drejtori i Trajnimeve dhe i Inspektimeve, Endrit Musaj.

Ekspozita e paraqitur nga DPA-ja shpalos përpjekjet për unifikimin e alfabetit (14-22 nëntor 1908) drejt miratimit të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe (20-25 nëntor 1972). Materialet dokumentare dhe fotografike të ekspozuara tregojnë mbi vendimet e kongreseve përkatëse dhe veprimtarinë e figurave me rol të spikatur në punimet e kryehershme për çështjen e “ABC”-së. Mes dokumenteve të përzgjedhura bëjnë pjesë të poshtëpërmendurat:

• Vendim i Komisionit të Alfabetit për çështjen e “ABC”-së, përfshirë foto me anëtarët e këtij organi;
• Procesverbale të mbledhjes së V-të dhe të VI-të të Komisionit për Çështjen e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit;
• Rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe të shkruar, miratuar nga Komisia Letrare, bashkëlidhur fotos së anëtarëve të kësaj shoqërie;
• Informacion i Ministrisë së Arsimit mbi Kongresin e Drejtshkrimit;
• Rezoluta dhe lista e firmëtarëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe;
• Urdhër i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.

Kjo ekspozitë mbi rrugëtimin e shqipes nga “ABC”-ja gjer në Kongresin e Drejtshkrimit, u shfaq fillimisht në Korçë në krye të këtij muaji. U rishfaq në mënyrë simbolike në vendzhvillimin e punimeve të Kongresit të vitit 1908, në Manastir. Më pas, në kuadrin e konferencës mabrëkombëtare “Një komb-një gjuhë”, u prezantua në Shkup në sallën e pagëzuar “Kongresi i Manastirit” të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSHMV). Po ashtu, një dublikim i kësaj ekspozitë u shfaq edhe në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe në Prishtinë