11/5/2024

Epidemitë, bashkëudhëtare të jetës sonë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare e Infermierisë, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, organizuan një aktivitet që u mbajt në Pallatin e Brigadave. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e mbështeti këtë event duke përgatitur ekspozitën e titulluar “Epidemitë, bashkëudhëtare të jetës sonë”.

Ky aktivitet u zhvillua mes përfaqësuesve të sektorit të infermierisë në vend, pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Fjalë përshëndetëse mbajti presidentja e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë znj.Blerina Duka e cila i falënderoi të gjithë infermierët për punën dhe sakrificat e tyre.

“Çdo vit jemi mbledhur me tematika të ndryshme për ta celebruar këtë datë dhe çdo herë kemi mundur të zgjedhim tema që kanë për qëllim promovimin e figurës së infermierit. Këtë vit zgjodhëm dy risi, e para ekspozita me dokumentacione nga të gjithë kohët rreth sëmundjeve infektive dhe e dyta, është një fashion show me veshje të spikatura të infermierit ndër vite”, tha znj. Duka.

Më pas fjalën e mori Ministrja e Shëndetësisë znj. Albana Koçiu e cila përgozoi organizatorët e këtij aktivitetiti dhe u shpreh se ky event ka kryefjalë ambicien tonë për të bërë më shumë për armatën e bluzave të bardha.

“Infermierët padiskutim janë një pasuri e jashtëzakonshme dhe e pazëvendësueshme e sisitemit tonë shëndetësor, por jo vetëm e sisitetim tonë por e të gjithë shoqërisë. Prandaj ju falenderoj nga zemra për punën që bëni çdo ditë. Përgëzoj dhe Urdhrin për formatin shumë të veçantë të takimit. Ishte një ekspozitë e jashtëzakonshme që besoj keni patur mundësi ta shihni të gjithë”, u shpreh Koçiu.

Disa nga materialet që u shfaqën në ekspozitë ishin informacione nga prefekti i Korçës mbi gjendjen e kolerës në Voskopojë në vitin 1916, këshilla mbi aplikimin e vaksinës kundër kolerës në vitin 1950, vaksinimi me hapa të sigurt për sëmundje si difteria, variolike, tifo abdominale (1947), korrespondencë e Ministrisë së Shëndetësisë, dërguar Ministrisë së Jashtme për të njoftuar OBSH-në mbi vaksinën e etheve të verdha (1964), instruksion mbi njohjen, mjekimin dhe mbrojtjen nga "Lepra" (1971), rregullore e Laboratorit Bakteriologjik të Shtetit (provizor) e vitit 1948 si dhe buletini javor mbi sëmundjet e transmetueshme në Shqipëri (1958).

Data 12 Maj është caktuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Infermierit për nder të ditëlindjes së Florence Nighitangle.