23/11/2022

DPA-ja sjell Kënd Arkivor edhe në Bulqizë.

Në Bulqizë u hap Këndi Arkivor i radhës në Shqipëri, si rezultat i nismës së Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për të siguruar qasje të barabarta në dokumenta, kudo ku frymon shqiptaria.

DPA-ja në bashkëpunim me Bashkinë e Bulqizës, i mundëson tani e tutje studiuesve lokal kushte të njëjta hulumtimi në dokumentacionin arkivor. Prej këtij Këndi Arkivor, çdo studiues do të mund të marrë shërbim ekuivalent, sikur të ishte i pranishëm në Sallën e Studimit në Tiranë.

Inaugurimi i Këndit Arkivor dhe prezantimi i platformës online u kryen nga kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido. I pranishëm në aktivitet ishte kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla dhe Drejtoresha e Pallatit të Kulturës, Ledjana Gjoka. Duke nisur nga dita e sotme, ky Kënd Arkivor i porsaçelur në Bulqizë, është i akesesueshëm në ambientet e bibliotekës së Pallatit të Kulturës.

Në fjalën e tij, Bido theksoi se përmes Këndeve Arkivore synohet të lehtësohet qasja në dokumentacion. “Është salla e 50-të e studimit që në kemi çelur në qytetet kryesore të Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, tek arbëreshët e Italisë, në komunitetin shqiptar në Greqi dhe shumë shpejt, pritet të çelim Kënd Arkivor në Mal të Zi, në komunat shqiptare të atyshme, në mënyrë që çdo studiues të mos ketë nevojë të vijë në Tiranë. Qoftë edhe një studiues nga Bulqiza që ka nevojë për Arkivin, ka këtu sallën falas, pa kosto. Besoj se kjo shërben sidomos në kohët e sotme, kur elitat intelektuale shkojnë gjithmonë drejt qendrës, që ne t’i japim shërbimin këtu, sikur të ishte në Tiranë, pa asnjë lloj ndryshimi.”- tha Bido.

Kryebashkiaku Alla falenderoi DPA-në për kurorëzimin e këtij bashkëpunimi, që do t’u vijë në ndihmë studiesve nga Bulqiza. “Falenderoj DPA-në. Më në fund, në kuadrin e marrëveshjes së bashkëpunimit, hapet edhe në Bulqizë një sallë për studiuesit. Salla është tashmë e hapur dhe të gjithë studiuesit tanë janë të ftuar ta shfrytëzojnë pa asnjë kosto.”- shpreh Alla.

Në përmbushje të mëtejshme të kësaj nisme, që ka marrë trajtë mbarëkombëtare duke u shtrirë edhe përtej vendit, DPA-ja shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për ta çuar platformën kudo që jetojnë shqiptarët, me qëllim lehtësimin e qasjes së tyre ndaj dokumentit arkivor.  

Për të përftuar qasjen falas në materialet arkivore, hulumtuesi duhet të regjistrohet më parë në rrugë online në adresën katalogu.arkiva.gov.al, pa qenë e nevojshme të paraqitet në mjediset e Këndit Arkivor. Më pas, kërkesa e depozituar prej tij për hapjen e një llogarie, do të aprovohet brenda harkut kohore të një dite pune.

Ndërkohë, përmes postës elektronike aplikuesi do të pajiset me fjalëkalimin që i mundëson aksesimin e dosjeve të porositura, në ditën e përzgjedhur nga vetë ai. Këto materiale qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, kohë gjatë të cilës studiuesi mund t’i konsultojë në Këndin Arkivor.