20/5/2024

DPA çel Kinemanë Verore, Bido: Japim mesazhin e Luftës Nacionalçlirimtare

Kinemaja verore e DPA-së çeli siparin e një sezoni të ngjeshur artistik me shfaqjen e një prej filmave më ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Tomka dhe shokët e tij”. Me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, kjo hapësirë e re kulturore pranë DPA-së do t'i kushtojë një rëndësi të posaçme realizimeve filmike që i referohen Luftës Nacionalçlirimtare.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në oborrin e ridimensionuar të godinës së DPA-së, ishin të pranishëm ministri i Brendshëm, Z. Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Znj. Marinela Ndria, përfaqësues të Shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut, dhjetëra studentë dhe nxënës.

Fjala përshëndetëse u mbajt prej Bidos, i cili u shpreh se përmes kësaj nisme, DPA-ja synon të përcjellë një mesazh me rëndësi kombëtare. "Ne nisim sot një seri aktivitetesh, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit. Këto aktivitete do të zhvillohen këtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, por do të mbahen nga DPA-ja kudo nëpër Shqipëri. Me rastin e këtij viti me rëndësi kombëtare, ne përcjellim një mesazh shumë të rëndësishëm: kur atdheu është në rrezik, të rinjtë duhet të dalin përballë tij. Kjo ndodhi 86 vjet më parë dhe kulmoi 80 vjet më parë, kur një grup të rinjsh dhe të rejash dolën përballë në mbrojtje të atdheut, kur rrezikohej liria e tij. Janë pikërisht ata që kanë mundësuar që sot të kemi një vend të pavarur që mund ta drejtojnë vetë shqiptarët. Është momenti për të përcjellë këtë mesazh në forma të ndryshme. Do të shfaqen 10 filma që risjellin epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lavdi dëshmorëve të Atdheut."- tha kreu i DPA-së.