14/3/2023

Dita e Verës, festimet në Tiranë në lupën e AQSH-së

Dita e Verës erdhi hareshëm në kryeqytet dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) nuk ngurroi t’i bashkohej festës.

Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit (Bashkia Tiranë), DPA-ja ka prezantuar një ekspozitë fotografike, e cila shpalos pamje nga festimet e zhvilluara në Tiranë me rastin e Ditës së Verës dhe të festave të ndryshme.

Në shesh, në pikëtakimin e organizimeve të shumta për këtë ditë festive, dashamirës të artit dhe të kulturës, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe nga kryeqyteti, nga aktivitete shoqërore (mbjellje fidanesh), nga zhvillimi i karnavale të vitit 1922, nga festime të ndryshme me veshje tradicionale, si edhe nga lojërat e mbajtura.

Ky aktivitet vjen në kuadër të angazhimit të pandërprerë të DPA-së në promovimin e pasurisë dokumentare dhe fotografike të kombit. Për të mësuar më tej mbi nismat e jetësuara nga DPA-ja, mund të vizitoni faqen zyrtare të institucionit në adresën www.arkiva.gov.al.