28/5/2022

Arkivi në Tepelenë në Javën e Ali Pashës

Me rastin e Javës kushtuar Ali Pashë Tepelenës (21-28 maj), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) mori pjesë në një simpozium shkencor mbi ridimensionimin e kësaj figure me rëndësi madhore në historinë kombëtare. 

Fjala përshëndetëse e aktivitetit u mbajt nga kryebashkiaku, Tërmet Peçi. Në këtë simpozium, të organizuar nga Bashkia e Tepelenës në mjediset e Kalasë së Ali Pashës, kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, referoi në lidhje me rolin e arkivave në grupimin e dokumentacionit mbi këtë personalitet të periudhës së pararilindjes. Në fjalën e tij, Bido kumtoi dhurimin e një pjese të dokumenteve që zotërohen nga DPA-ja mbi Ali Pashën, organit të kujtesës lokale, Muzeut të Tepelenës. Bido shtoi se kjo bazë kërkimore, do të shërbejë si shtysë për kryerjen e hulumtimeve të mëtejshme, që hedhin dritë mbi veprimtarinë tërësore të "Luanit të Janinës". 

Punimet e simpoziumit u zhvilluan edhe në prani të përfaqësuesve të Muzeut Historik Kombëtar (MHK), të Universitetit Europian të Tiranës (UET) dhe të Universitetit të Gjirokastrës. Po ashtu, referuan edhe Dorian Koçi, drejtues i MHK-së dhe Irakli Koçollari, studiues dhe autor i monografive të Ali Pashës. 

Në këtë përkujtesë të 200-vjetorit të vdekjes së Ali Pashës, DPA-ja prezantoi edhe një ekspozitë me dokumente osmane.

Dokumentet e ekspozuara, evidentojnë të dhëna, fotoportrete apo imazhe të familjes së Ali Pashës, një ferman dërguar në adresë të tij për pjesëmarrje me forcat osmane kundër Mahmut Pashës, si edhe urdhrin sulltanor (13.11.1784), që komunikon vendimin për t'i ngarkuar Sanxhakun e Janinës dhe të Delvinës. Po ashtu, pjesë e ekspozitës janë edhe shkresa për emërimin e tij në cilësinë e komandantit të ushtrisë në eflak (01.04.1810), si edhe vendimi për ekzekutimin. 

Java e Ali Pashë Tepelenës që zhvillohet për të pestin vit radhazi, është kthyer në një traditë në vendlindjen e Pashait. Me këtë rast, prezantohen edhe produktet tradicionale të kulinarisë, të etnografisë, të trashëgimisë shpirtërore, të historisë dhe të folklorit.

Për të përftuar më tepër infomacion lidhur me veprimtarinë apo nismat e ndërmarra dhe të jetësuara nga DPA-ja, vizitoni faqen tonë zyrtare www.arkiva.gov.al