11/2/2023

87 vite nga demonstrata e parë në Shqipëri

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Kuçovës, rishfaqi sot ekspozitën “Borgio Ciano-Kuçovë, një histori për t'u kujtuar”.  

Në këtë aktivitet, të zhvilluar mesditën e sotme në Bibliotekën publike lokale qenë të pranishëm qytetarë dhe dashamirës të historisë.

Mes dokumeteve të përzgjedhura për ekspozim, u prezantuan materiale të shfaqura për herë të parë, të cilat janë pjesë të pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH). Me një kohështrirje prej vjetëve 1922-1944, ekspozita përmban:

•        Koncesionet petrolifere në Shqipëri;
•        Shtypi italian i interesuar për zhvillimet e vajgurit dhe naftës në Shqipëri;
•         Legata italiane njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë, Benito Musolinit mbi tentativat për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Italinë;
•        Marrëveshja midis shtetit shqiptar dhe hekururadheve të shtetit mbretëror italian, e cila është e vlefshme deri më 31 dhjetor 1985;
•         Foto nga zonat naftëmbajtëse në Kuçovë;
•         Kushtet e marrëveshjes botohen edhe në Fletoren Zyrtare të kohës ;
•         Raport mbi shpronësimet e kryera nga koncesionari A.I.P.A.;
•        Pagëzimi i Komunës Kuçovë në « Borgo Costanzo Ciano » për nder të interesimit të përhershëm të ministrit Ciano;
•        Punëtorët e shoqërisë A.I.P.A i adresohen kryesisë së parlamentit mbi kushtet e punës të rënduara në Kuçovë;
•         Statuti i shoqërisë “Puna”;
•         Ngjarja e Kuçovës e percjellë edhe në shtypin e shkruar të kohës (gazeta “Vatra” dhe “Arbëria”);
•         Informacion i detajuar nga Legata Italiane, sipas të cilës ideologu i frymës së protestës është vetë kryetrajnuesi  i xhandarmarisë shqiptare, Gjenerali britanik Percy;
•        Zyra mbretërore e policisë së Beratit informon se sërish në Borgio Ciano-Kuçovë punëtorët kanë pakënaqësi që lidhen me të drejtat e tyre;
•         Foto nga kullat e petrolit të A.I.P.A-s në Borgio Ciano-Kuçovë;
•         Akt i ndryshimit të emrit të komunës nga Kuçovë në Borgio Ciano.

Kjo ekspozitë do të qendrojë e hapur deri ditën e nesërme, datë 12 shkurt. Publiku mund t’u drejtohet ambienteve të Bibliotekës publike në fashën orare 09:00-13:00.