10/6/2022

144 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK) kanë shfaqur sot ekspozitën e titulluar “Lidhja e Prizrenit”, në bashin e vendit ku më 9 qershor të vitit 1878, u zhvilluan punime me rëndësi historike për kombin shqiptar. 

Në aktivitetin e organizuar me rastin e 144-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, DPA-ja dhe ASHAK-u risollën në vëmendje prapavijën, orvatjet dhe synimet e kësaj organizate me karakter politik, përmes paraqitjes së dokumenteve të vyera. 

Mes materialeve arkivore të ekspozuara në Sheshin e Shatërvanit, gjendeshin thirrja drejtuar gjithë shqiptarëve për kundërshtimin e copëtimin të trojeve të vendit, si edhe memorandumi dërguar Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, përmes të cilit kundërshtohen vendimet e Kongresit të Berlinit.

Të pranishëm në këtë aktivitet qenë Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Ardit Bido, kreu i ASHAK-ut, Bedri Zyberaj dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. 

Ndërkaq, ditën e nesërme, më 11 qershor 2022, do të mbahet në Boletin Konferenca e VI-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që vjen në vazhdën e një tradite solide bashkëpunimi mes dy institucioneve arkivore simotra. Ekspertë dhe studiues të arkivave të këtej dhe përtejkufirit do të diskutojnë mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm.