24/11/2023

111 vjet Pavarësi/"Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë"

Në prag të 111-vjetorit të Pavarësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me stafin pedagogjik të gjimnazit “Dertliu”, ka sjellë ekspozitën e titulluar “Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtori i Inspektimeve dhe i Trajnimeve në DPA, Dr. Endrit Musaj, drejtoresha e gjimnazit, Znj. Merita Dertliu, historianja Fatmiroshe Xhemalaj, si edhe mësues të atashuar pranë këtij institucioni arsimor. Në fjalën e tij përshëndetëse, Dr. Musaj foli për rëndësinë e shfrytëzimit të dokumenteve arkivorenga nxënësit, me qëllim mësimin e të shkuarës së lavdishme të vendit.

Në ekspozitën e përgatitur nga DPA-ja  dhe Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), shpalosen të dhëna me rëndësi lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e figurave që patën rol qendror në kurorëzimin e përpjekjeve për lirinë e Shqipërisë. Mes materialeve të ekspozuara, u paraqitën  dokumentet e poshtëlistuara:

-Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në Shkodër për shkak të kryengritjes në zonën e mbi Shkodrës;

-Çeta e Dedë Gjo Lulit në Malësinë e mbi Shkodrës;

-Deklarimi i Pavarësisë së Tiranës;

-Foto e pjesëmarrësve në Kuvendin e Vlorës;

-Pamje nga ballkoni ku u ngrit flamuri në Vlorë;

-Foto e nënshkruesve të Deklaratës së Pavarësisë;

-Foto të Ismail Qemalit dhe të Isa Boletinit.

Krahas ekspozitës, një grup nxënësish kishin përgatitur këngë, vizatime, piktura dhe kumtesa mbi jetëshkrimin e secilit prej 40 firmëtarëve të Pavarësisë. Në përfundim të aktivitetit, u shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje.

Një vit më parë DPA dhe “Dertliu”, shfaqën një ekspozitë në lidhje me strehimin e hebrenjëve nga shqiptarët. Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërendesat në veprimtarinë e DPA-së, e cila qendron në bashkëpunim të vijueshëm me institucionet arsimore nga mbarë vendi për organizime me karakter didaktik.