24/2/2023

100 vjet nga themelimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSH) dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit (Bashkia Tiranë), ka prezantuar një ekspozitë dokumentare dhe fotografike në kuadrin e 100-vjetorit të Kongresit që kurorëzoi përpjekjet e myslimanëve për mëvetësi.

Çelja e ekspozitës së përgatitur me materiale historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), u zhvillua në orën 10:00 pranë xhamisë së Et’hem Beut, ku qenë të pranishëm drejtuesit e dy prej institucioneve bashkëpunuese, kreu i DPA-së, Ardit Bido, kreu i KMSH-së, H. Bujar Spahiu, drejtori i Kulturës në KMSH, Dorian Demetja, përfaqësues të bashkësisë myslimane, studiues, qytetarë dhe dashamirës të historisë.

Fjala përshëndetëse e aktivitetit u mbajt nga H. Spahiu, i cili vlerësoi bashkëpunimin me DPA-në në përkujtesën e kësaj date të rëndësishme për mbarë kombin. “Ky vit dhe data e sotme janë shumë të rëndësishme jo vetëm për Komunitetin, por edhe për kombin tonë. Në vitin 1923, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpalli mëvetësinë dhe u themelua si institucion i pavarur në organizimin e të gjithë veprimtarisë së tij. Ka qenë një shekull plot me sfida, si në fillimet e të funksionuarit si të pavarur, po ashtu edhe në periudhat e mëvonshme. Parardhësit e mi, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e shtetformimit, të kulturës dhe të arsimit të vendit tonë. Kanë qenë largpamës e luajal në çështjet kombëtare. Dëshmitë historike që tregon kjo ekspozitë, flasin për këtë histori të lavdishme të Komunitetit.”- tha H. Spahiu.

Në daljen e tij për mediat, Bido vuri theksin tek gatishmëria e DPA-së për realizimin e ekspozitave të kësaj natyre, që përkojnë me momente kulmore në historinë e shtetndërtimit. “Është kënaqësi për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave që merr pjesë në këto përvjetore, jubilare të disa prej akteve më të rëndësishme shtetformuese dhe kombformuese. Mëvetësimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ashtu sikurse mëvetësimi i komuniteteve të tjera fetare në vend, u bë në momente kyçe të shtetndërtimit tonë, duke krijuar një shoqëri me tolerancë fetare me baza atdhetare. Nëse nuk do të ishte kryer ky proces në vitet ‘21-‘24, sot do të kishim përçarje që do të na pamundësonin të punonim bashkë, ashtu sikurse punojmë, pa asnjë dallim mes besimeve fetare. Prandaj, ne jemi të kudondodhur në raste të tilla, duke pasqyruar këtë proces të rëndësishëm përmes dokumenteve origjinale dhe fotografive që na japin një pasqyrë të ngjarjeve të kohës.”- u shpreh Bido.

Me rastin e këtij viti jubilar për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, DPA-ja shpalosi informacione lidhur me mbajtjen e Kongresit të parë Mysliman Shqiptar, foto të anëtarëve pjesëmarrës, dokumente mbi vendimet e marra, të dhëna rreth detyrave të anëtarëve të Këshillit të Naltë dhe të Myftiut të Përgjithshëm, H. Vehbi Dibra. Përmbledhtazi, mes materialeve të përzgjedhura bënin pjesë dokumentet e poshtëlistuara:

• Organizimi i Sherieve të Shqipërisë dhe i Myftinisë së Përgjithshme;
• Kërkesë nga Gjykata e Naltë e Sheriatit drejtuar Kryeministrisë me dt. 28.01.1923 mbi nevojën e krijimit të xhamatit islamik (Këshilli i myslimanizmës) shqiptare;
• Telegram i dërguar nga Ministri i Punëve të Brendshme, Ahmet Zogu, i cili informon se i është dhënë leja e duhur për mbajtjen e Kongresit të dt. 20.02.1923;
• Ministria e Punëve të Brendshme njofton më dt. 24.02.1923 se përfaqësuesi i qeverisë në këtë Kongres është z.Qerim Çelo, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë;
• Statusi i Shoqërisë “Djelmënia Dibrane” me kryetar Dervish Himën;
• Telegram nga Kryemyftiu i Përgjithshëm, H. Vehbi Dibra, dërguar për informacion të gjitha bashkive në vend mbi mbarimin e Kongresit (dt. 12.03.1923);
• Vendimet e dala nga ky Kongres (dt. 13.03.1923);
• Detyrat e Myftiut të Përgjithshëm dhe të anëtarëve të Këshillit të Naltë;
• Foto e anëtarëve të këtij Kongresi;
• Fjalimi i plotë i Kryemyftiut Dibra në gazetën “Shtypi”.

Kjo eskpozitë erdhi si fryt i nismave dhe i i bashkëpunimeve të njëpasnjëshme të DPA-së, që kanë si qëllim parësor promovimin e trashëgimisë dokumentare historike të vendit. Për të përftuar më tepër infomacion lidhur me veprimtarinë tërësore të DPA-së, vizitoni faqen tonë zyrtare www.arkiva.gov.al.