16/12/2022

UÇK-ja, një vlerë e shtuar për kombin


Në sajë të nismave të përbashkëta, evokojmë unitetin e kombit. Me këtë frymë përbashkimi të vijueshme, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), kanë përuruar botimin e titulluar “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”.


Në aktivitetin e zhvilluar në Prishtinë, ora 13:00, në sallën e konferencave të “Swiss Diamond Hotel”, qenë të pranishëm drejtuesit e dy institucioneve arkivore homologe, kreu i DPA-së Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido dhe kryeshefi i ASHAK-ut Bedri Zyberaj, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi dhe akademikë të shumtë. Fjala hapëse u mbajt nga Zyberaj, i cili zbuloi më shumë mbi rrethanat dhe shtysat e këtij publikimi.


“Ky libër është fryt jo i një individi, por i një numri të konsiderueshëm studiuesish të historisë dhe të kulturës sonë. Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk po i ndahen sfidat, edhe pas shuarjes së saj. Ideja për organizimin e një sesioni shkencor ka qenë që prej vitit 2020, kur u bënë publike aktakuzat kundrejt drejtuesve të UÇK-së, por një sesion i tillë nuk u mbajt, për shkak të masave kufizuese të pandemisë.”- tha Zyberaj.


Në fjalën e tij, Bido nënvizoi rëndësinë e një produkti shkencor të këtij lloji, që duhet të shërbejë si një mësim për të ardhmen. “Është detyrë dhe kënaqësi që të jemi së bashku në rrethana të tilla për të prodhuar produkt shkencor, jo thjesht për të kaluarën, por për të parë të ardhmen përmes së kaluarës. Sepse fusha e historisë dhe e shkencave humane në përgjithësi, por edhe çdo shkencë tjetër ekziston, në mënyrë që e ardhmja të jetë më e mirë. Dua të falenderoj bashkëorganizatorët dhe do të veçoj Bedriun sepse e kuptoj se pse nuk u zgjat për të treguar se çfarë është bërë për të arritur në një deklaratë të përbashkët, për të dhënë një ton brenda vijës shumë të hollë të shkencores dhe njëherazi e qartë.”- u shpreh Bido.


Në konferencë morën fjalën edhe Shpresa Mekaj, Muhamet Mavraj dhe Abdulla Azizi, të cilët folën mbi publikimin që ka parë së fundmi dritën e botimit, duke theksuar në ligjërimin e tyre epopenë dhe rëndësinë e përveçme të UÇK-së në përpjekjet çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Punimi i publikuar vjen si fryt i angazhimit të tri institucioneve bashkëpunuese, në kuadër të sesionit shkencor “Ushtria Çlirimtare e Kosovës - vlerë kombëtare”, të mbajtur më 7 mars 2022 në Prishtinë.


Më herët gjatë ditës së sotme, është mbajtur edicioni i tretë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, kur u paraqitën rreth 2 000 tituj nga fusha e letërsisë, e gjuhësisë, e historisë, e etnologjisë, e etnografisë, e antropologjisë, e filozofisë, e eseistikes, e estetikës, e filmit, e teatrit etj. Me rastin e hapjes së panairit në sheshin “Zahir Pajaziti”, DPA-ja dhe ASHAK-u kanë rishfaqur ekspozitën “Të ndarë, por të pashkëputur”, të prezantuar më parë në Tiranë dhe në Prekaz, në kuadrin e aktiviteteve të organizura për festat e nëntorit. Kjo ekspozitë përmban materiale dokumentare dhe fotografike që ilustojnë rrugëtimin e mundimshëm drejt lirisë dhe kontributin e paçmueshëm të figurave me rol qendror në shtetformim.


Po ashtu, është paraqitur sërish edhe ekspozita me dokumente arkivore mbi figurën shumëplanëshe të Dhimitër Paskos, të popullarizuar më gjerë me emrin e krijimtarisë, Mitrush Kuteli.