27/1/2023

Hebrenjtë në Shqipëri, një histori bujarie

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i është bashkuar aktivitetit të organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) nën okeljon “Shqipëria dhe shpëtimi i hebrenjve nga persekutimi dhe Holokausti”.

Në këtë aktivitet të zhvilluar sot, ora 10:15, në ambientet e MEPJ-së, ishin të pranishëm ministrja Olta Xhaçka, ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, kryetarja e Shoqatës së Miqësisë Izrael-Shqipëri, Felicita Jakoel, si edhe përfaqësues të shumtë diplomatikë. Në radhët e të ftuarve të nderit bënte pjesë edhe Z. Fatmir Veseli, i biri i të ndjerit Z. Refik Veseli, i dekoruar prej shtetit izraelit në shenjë mirënjohjeje për strehimin e familjes Mandil në vitin 1942.

Fjala përshëndetëse u mbajt nga ministrja Xhaçka, e cila theksoi rëndësinë e risjelljes në vëmendje të vlerave njerëzore të shpalosura nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fjalën e saj të rastit, Peleg, shprehu mirënjohjen për mirëpritjen e jashtëzakonshme të mbi 3 000 hebrenjve, të cilët arritën t’i shpëtonin vdekjes duke u strehuar në Shqipëri.

Në kuandrin e kësaj ditë përkujtimore, në bashkëpunim me MEPJ-në, DPA-ja paraqiti një ekspozitë dokumentare dhe fotografike mbi qendrimin e hebrenjëve në Shqipëri. Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me të dhëna lidhur me masat e ndërmarra prej institucioneve shtetërore, për të siguruar mbarëvajtjen e qendrimit të hebrenjve. Përmbledhtazi, në mesin e materialeve të përzgjedhura, gjendeshin:

•Korrespondenca e Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare me Legatat shqiptare në Londër dhe në Paris mbi mundësinë e instalimit të izraelitëve në Shqipëri;

•Urdhëresa e Ministrisë së Punëve të Brendshme drejtuar prefekturave mbi ardhjen dhe qendrimin e izraelitëve në Shqipëri;

•Korrespondenca e Ministrisë së Punëve të Brendshme me Prefekturën Krujë mbi transferimin e hebrenjve nga një lokalitet në tjetrin etj.