DPA-ja rikthen Mehdi Frashërin në Përmet
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), në bashkëpunim me Bashkinë e Përmetit, paraqiti një ekspozitë dokumentare
dhe fotografike kushtuar jetës dhe veprës së shtetarit Mehdi Frashëri.
Ekspozita e përgatitur me materiale të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), u shfaq në sheshin e qytetit, aty ku pikëtakohen koordinatat historike, sikurse lapidari kushtuar Kongresit të Përmetit, apo busti i rilindasit Naim Frashëri.
Përmes "Mehdi Frashëri, sovrani relativ", publiku pati mundësinë të mësonte mbi funksionet e ushtruara prej Frashërit dhe angazhimin e tij për çështje me rëndësi kombëtare.
Mes materialeve të përzgjedhura për ekspozim, bënin pjesë materialet e poshtëlistuara:
Njoftim në formë telegrami dërguar Valiut të Manastirit mbi emërimin e Mehdi bej Frashërit si kajmekan i Ohrit;
Foto e Mehdi beut më 8 korrik 1912;
Mehdi Frashëri miratohet si anëtar i qeverisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ;
Vendim që lejonte Mehdi Frashërin të përfaqësonte shtetin shqiptar në takimet e zhvilluara në Firence për çështjen e caktimit të kufijve ;
Idenë e zhvillimit të tregtisë së duhanit, Mehdi Frashëri e mbron edhe gjatë bisedimeve parlamentare;
Mehdi Frashëri zgjidhet kryetar i Komisionit Kombëtar të Turizmit;
Ministri i Punëve Botore dhe i Bujqësisë Frashëri kërkon që të mblidhet nga prefekturat taksa e rrugëve, me qëllim nisjen e ndërtimeve të rrugëve lidhëse midis qyteteve ;
Pas një krize parlamentare, në tetor 1935 Mbreti jep besimin për një qeveri të re me Mehdi Frashërin kryeministër;
Mehdi Frashëri betohet në tetor 1943 si anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës;
Fjalimi i mbajtur më 28.11.1943 në Radio Tirana etj.
Kjo ekspozitë është përgatitur dhe prezantuar për herë të parë në maj të këtij viti, me rastin e 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të Frashërit.