2/3/2023

Besëlidhja e Lezhës, simboli i bashkimit kombëtar

Sikurse është zotuar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) nuk mungon në përvjetorët që shënojnë ndodhitë më të rëndësishme në historinë e kombit.

Me rastin e 579-vjetorit të mbajtjes së Kuvendit të Lezhës, DPA-ja u gjend pikërisht në këtë qytet të zhvillimit të Besëlidhjes, që hodhi themelet e bashkimit mbarëshqiptar. Në ceremoninë e organizuar prej Bashkisë së Lezhës në ambientet e Bibliotekës së qytetit, DPA-ja shfaqi ekspozitën që shpalos të dhëna mbi këtë moment historik, si edhe ofron një këndvështrim katërcipëror të Lezhës përmes dokumenteve dhe fotografive.

Të pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar ishin qytetarë, dashamirës të historisë dhe nxënës të shkollave të shumta të veriut të vendit. Publiku pati mundësinë të vrojtonte imazhe të heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, si edhe foto të Lezhës përgjatë viteve. Mes materialeve të ekspozuara bënin pjesë informacione edhe mbi Ipeshkvijet e Lezhës, Atë Shtjefën Konstantin Gjeçov-Kryeziun, veprimet pranë gjendjes civile në lokalitete etj.

Në Lezhë, DPA-ja ka një prani të përhershme përmes Këndit Arkivor, ku çdo i interesuar mund të përftojë një shërbim ekuivalent me Sallën e Studimit në Tiranë.