18/5/2023

Banka e Napolit, një rrëfenjë ndryshe

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Muzeun e Bankës së Shqipërisë (BSH), paraqiti ditën e sotme, datë 18 maj 2023, ekspozitën “Banka e Napolit 85 vite më parë në dokumentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave”.

Në mjediset e Muzeut të BSH-së, publiku kryeqytetas pati mundësinë të merrte pjesë në çeljen e kësaj ekspozite me dokumente historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH). Mes dokumenteve të përzgjedhura për ekspozim, bëjnë pjesë të poshtëlistuarat:

Banka e Napolit, historiku i saj që prej shek. 15;

Kartëmëonedha të emetuara nga Banka e Napolit (25 lire);

Mbretëria e Italisë nëpërmjet Bankës së Napolit merr përsipër mbështetjen financiare të Mbretërisë Shqiptare (dt. 01.08.1936);

Vendim i Këshillit të Ministrave që lejon Ministrinë e Financave të akordojë çeljen e Bankës së Napolit në Shqipëri (dt. 13.10.1937);

Banka hap filialin e saj në Tiranë në gazetën “Drita” (07.07.1937);

Drejtuesit e lartë të Bankës së Napolit në Shqipëri gazetën “Drita” (dt. 26.10.1937);

Organigrama hierarkike e bankës;

Shpërblimet në raste martesash dhe lindjesh për punonjësit etj.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve. Gjatë ditës së sotme janë parashikuar të mbahen po ashtu një ekspozitë dokumentesh, provash kartëmonedhe dhe objektesh të viteve 1957-1991, leksioni i hapur “Edukimi për Zhvillimin e Qendrueshëm”, si edhe një kolazh me pjesë nga filma shqiptarë ndër vite nën okeljon “Fuqia e parasë”, realizuar prej Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Ekspozita e përgatitur nga DPA-ja do të qendrojë e hapur për qytetarët deri ditën e nesërme, datë 19 maj 2023.