11/5/2022

Urbanizimi i Durrësit në lupën e AQSH-së

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) me bashkëpunimin e Qendrës Muzeore të Durrësit (QMD), ka prezantuar sot ekspozitën e titulluar "Korrespondenca mbi urbanizimin e qytetit të Durrësit në vitet 1920-1939". 

Në këtë aktivitet të zhvilluar nën okeljon "Lindja e Durrësit Modern", në mjediset e Muzeut Arkeologjik të qytetit, morën pjesë Drejtori i ASHV-ve në DPA, Lorenc Agalliu, Drejtori i QMD-së, Alban Ramohito, si edhe specialistë të Promovimit pranë DPA-së. Ekspozita e paraqitur ofron një fushëpamje tërësore të zhvillimit urbanistik të qytetit portual më të madh në vend, përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të ngjeshur. 

Mes materialeve të ekspozuara gjenden harta mesjetare dhe planimetria e qytetit, dokumenti mbi ligjin e Bashkisë për ndalimin e ndërtimit të shtëpive me qerpiç, foto panoramike të kalasë, evidenca e huasë dhënë qeverisë shqiptare prej Bankës së Napolit, përmes së cilës parashikoheshin investime për centralin elektrik të Durrësit, pamje nga puna për sistemimin e limanit, pamje të kinemave "Esperia" dhe "Gloria" etj. 

Për organizimin e këtij aktiviteti kontribuan po ashtu Universiteti "Polis" dhe Studio "Domi". Ekspozita do të qendrojë e hapur deri të mërkurën e ardhshme, më datë 18 maj 2022.