21/11/2022

Tok në Manastir në prag të Ditës së Alfabetit.

Në prag të Ditës së Alfabetit dhe me rastin e 50-vjetorit të mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka rishfaqur në Manastir ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Gjuha shqipe, nga alfabeti në drejtshkrim”.

Materialet dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) u paraqitën në mënyrë simbolike në vendzhvillimin e punimeve të Kongresit të vitit 1908, i cili përmes unifikimit të alfabetit, shënoi një ndodhi me rëndësi të përveçme në kalendarin historik kombëtar. Të pranishëm në këtë aktivitet qenë kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, Zait Aliu, drejtor i Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir dhe Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH).

Fjala përshëndetëse u mbajt nga Aliu, i cili vlerësoi kontributin e DPA-së në përkujtimin e trajektores së përpjekjeve për standartizimin e shqipes, që zunë fill me Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe u ndoqën me ngjarjen kulmore të përcaktimit të parimeve drejtshkrimore prej Kongresit të vitit 1972. “Përshëndetje nga djepi i gjuhës shqipe. Ne kemi nisur më herët një planprogram lidhur me përkujtimin e Kongresit të Manastirit. Falenderoj drejtorin Bido dhe Z. Asani që zgjodhën pikërisht Manastirin për të shfaqur këtë ekspozitë, duke ua sjellë artefaktet më afër publikut të këtushëm.”- u shpreh Aliu.

“Aktivitetet tona dhe ky i sotmi në Manastir, nuk janë të organizuara, por të natyrshme. Vijmë dhe prezantojmë diçka konkrete që korrespondon me një jubile.”- tha Asani. Në fjalën e tij, Bido theksoi rëndësinë që mbart Kongresi në historinë e kombit dhe në frymën e përbashkimit mes shqiptarëve, kudo qofshin. “Jemi në epiqendrën e shqiptarisë, në shtëpinë ku është mbajtur Kongresi, për të prezantuar një ekspozitë mbi momentin e dytë kulmor të gjuhës shqipe. Kjo ekspozitë, e cila është prezantuar më herët edhe në Tiranë, në konferencën jubilare të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku morën pjesë personalitetet politike të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, sjell një shije mbi këtë moment kulmor të historisë së kombit. Ky Kongres mundësoi një linjë komunikimi që na përbashkon të gjithëve, gjuhën standarte, e cila na lejon të komunikojmë mes nesh, pavarësisht nëse jemi gegë apo toskë.”- tha Bido.

I pyetur më gjerë në lidhje me veprimtarinë e DPA-së, Bido risolli në vëmendje 6 botimet e prezantuara së fundmi në punimet e Panairit të Librit. “Pas një munguese të gjatë, u rikthyem me 6 botime. Ndërkohë, kemi vendosur që të ketë 5 botime të përvitshme dhe cilësore në fushën e historiografisë. Botimet e prezantuara trajtojnë përvjetorë të rëndësishëm, sikurse janë 100-vjetori i Kongresit të Beratit dhe 100-vjetori i Muzeut Historik Kombëtar. Ndërsa, botimet e tjera preknin tematikat e rolit të misioneve aleate në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore 1943-1944, veprimtarisë së Justin Godartit përmes dokumenteve arkivore dhe marrëdhëniet e ish-Partisë së Punës së Shqipërisë me partitë komuniste dhe lëvizjet marksiste-leniniste jashtë “Bllokut komunist”. Tradicionalisht, erdhi për publikun edhe revista “Arkivat  Shqiptare”, një bashkëbotim me Arkivin e Kosovës, që e paraqet arkivistikën si një shkencë më vete”- përfundoi Bido, i cili shtoi se nevojiteshin falenderuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Arkivave (KLA), për kontrollin rigoroz dhe për cilësinë e këtyre publikimeve.

Ekspozita e paraqitur përvijon rrugëtimin dhe orvatjet për unifikimin e alfabetit (14-22 nëntor 1908) drejt miratimit të rregullave drejtshkrimore të gjuhës shqipe (20-25 nëntor 1972). Dokumentet e ekspozuara ndërtojnë një narrativë binare, bazuar në dokumente historike të vendimeve të kongreseve përkatëse dhe në foto të figurave me rol të spikatur në punimet e kryehershme për çështjen e “ABC”-së. Mes dokumenteve të përzgjedhura bëjnë pjesë të poshtëpërmendurat:

• Vendim i Komisionit të Alfabetit për çështjen e “ABC”-së, përfshirë foto me anëtarët e këtij organi;
• Procesverbale të mbledhjes së V-të dhe të VI-të të Komisionit për Çështjen e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit;
• Rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe të shkruar, miratuar nga Komisia Letrare, bashkëlidhur fotos së anëtarëve të kësaj shoqërie;
• Informacion i Ministrisë së Arsimit mbi Kongresin e Drejtshkrimit;
• Rezoluta dhe lista e firmëtarëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe;
• Urdhër i Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit.

Ekspozita mbi rrugëtimin e shqipes nga “ABC”-ja gjer në Kongresin e Drejtshkrimit, do të rishfaqet në Shkup, në Prishtinë dhe në Tiranë.