Rikthim në traditë me veshjet popullore të shqiptarëve
Nisur nga interesi i lartë i publikut, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) risolli ekspozitën fotografike "Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve".
Në bashkëpunim me Bashkinë e Krujës, DPA-ja kreu në qytetin e Skënderbeut një retrospeksion në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë përmes narrativës së celuloidit.
Në pazarin e qytetit të bekuar, që është nyje lidhëse e të shkuarës historike me të tashmen, vizitorë të huaj, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosin kostumografinë e larmishme të trevave shqiptare.
Mes materialeve të përzgjedhura të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare), burra, gra dhe fëmijë me kostume popullore të trevave në jug dhe në veri të vendit, si edhe në Shqipërinë e Mesme.
Kjo ekspozitë e ka patur premierën në Gjirokastër, me rastin e edicionit të XI-të të Festivalit Folklorik Kombëtar. Ndërkaq, është shfaqur edhe në Tepelenë, në Shkodër, në Korçë dhe do të vijojë këtë tur shëtitës në qytete të tjera.