Profili i Mbretëreshës Geraldinë
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me familjen mbretërore shqiptare dhe me Kalanë e Tiranës, paraqiti sot ekspozitën e shumëpritur “Geraldina Zogu, Trëndafili i Bardhë i Shqipërisë”.
Çelja e ekspozitës së përgatitur me dokumente historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), u zhvillua në orën 13:00 në ambientet e Kalasë së Tiranës, ku qenë të pranishëm Princi i Kurorës, Leka II, kreu i DPA-së, Ardit Bido, përfaqësues të ambasadës hungareze në Tiranë, studiues, biografistë, qytetarë dhe dashamirës të historisë. Fjala përshëndetëse e aktivitetit u mbajt nga Bido, i cili vlerësoi gatishmërinë e bashkëpunëtorëve në ndërmarrjen e kësaj ekspozite. “ Mbretëresha Geraldinë është një figurë shumë interesante, që del akoma më në pah nëpërmjet dokuementeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Geraldina e mbajti Shqipërinë në zemër dhe luajti një rol të rëndësishëm në emancipimin e gruas shqiptare.”- u shpreh Bido.
Në daljen e tij për mediat, Princi Leka II nënvizoi se ngjarjet dhe faktet historike duhen publikuar pa anësi, duke falenderuar kështu stafin e DPA-së për punën e vazhdueshme të kryer në këtë drejtim. “ Historia duhet trajtuar pa paragjykime dhe ne duhet të ndihemi krenarë që kemi gjak shqiptari.”- shtoi Princi Leka II.
Në këtë përkujtesë të figurës së “Trëndafilit të Bardhë të Shqipërisë”, DPA-ja me ndihmesën e familjes mbretërore shpalosi informacione lidhur me veprimtarinë e Mbretëreshës Geraldinë në Shqipëri, foto, të dhëna të saj biografike dhe përgatitjet e kryera për celebrimin e martesës me Mbretin Ahmet Zogu I. Përmbledhtazi, mes materialeve të përzgjedhura bëjnë pjesë dokumentet e poshtëpërmendura:
📌 Programi i fejesës së Mbretit Zog I me konteshën Geraldina Aponnyi;
📌 Biografi të mbledhura mbi familjen e konteshës Aponnyi;
📌 Dëshmi e Mbretit Ahmet Zog dërguar kryeministrit më 30 janar 1938 mbi dëshirën për të pranuar si bashkëshorte konteshën Geraldi Aponnyi, referuar nenit 89 të Statutit Themeltar Mbretëror;
📌 Përgjigje e kryetarit të Parlamentit drejtuar kryeministrisë më datë 31 janar 1938, që çmon se martesa mes mbretit Ahmet Zog dhe princeshës Geraldinë është në përputhje me Statutin Themeltar të Mbretërisë;
📌 Lista e shpenzimeve e martesës së mbretit Zog;
📌 Telegrame urimi mbi lajmin e gëzueshëm të martesës midis mbretit Ahmet Zog dhe princeshës Geraldinë;
📌 Telegrame urimi drejtuar Mbretit Zog me rastin e lindjes së princit trashëgimtar.
Ky aktivitet mori shtysë nga 20-vjetori i ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së Shqiptarëve. Ekspozita do të qendrojë e hapur deri ditën e nesërme, datë 28 tetor. Publiku kryeqytetas, vizitorë të huaj apo kureshtarë mbi tematikën, mund t’i qasen falas materialeve arkivore të ekspozuara. Ju mirëpresim! 😊
Për të përftuar më tepër infomacion lidhur me veprimtarinë apo nismat e ndërmarra dhe të jetësuara nga DPA-ja, vizitoni faqen tonë zyrtare www.arkiva.gov.al .