23/4/2022

Prezantohet Revista "Arkivat Shqiptare"

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar në punimet e Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik botimin e përvitshëm në lëmin e arkivistikës, Revistën Arkivore. 

Në një ligjërim në prani të akademikëve dhe botuesve nga e gjithë hapësira shqipfolëse, kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, foli mbi rëndësinë e publikimit të kësaj reviste, e cila është e vetmja në llojin e saj në mbarë trojet shqiptare. Synimi i revistës, botimi i të cilës është kthyer tanimë në një traditë, është të bëjë bashkë periodikisht hulumtues të fushës përkatëse, për të shqyrtuar çdo vit problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionit, si edhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm. 

Për të pestin vit radhazi, Revista Arkivore, i ofron çdo arkivisti dhe të interesuari për arkivistikën si shkencë më vete, të mëvetësuar nga historia apo shkenca të tjera të përafërta, të mund të përftojë risitë dhe trajnimin e nevojshëm. Ky publikim mundësohet në sajë të vullnetit për ndërveprim të vazhdueshëm midis dy institucioneve simotra, DPA-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK). Prej përfaqësuesve të këtij organi homolog u prezantuan botimet "Ndarja administrative e Vilajeteve shqiptare", që përmban toponimet e vendodhjeve të ndryshme përqark trojeve tona, si edhe monografia e titulluar "Bajroni dhe shqiptarët". 

Të pestë numrat e Revistës Arkivore, të botuar ndër vite, gjenden në stendën e DPA-së së bashku me të tjera publikime me tematika të rëndësishme historike, sikurse: "Kodikët e Shqipërisë", "Shqipëria në dokumentet arkivale otomane", "Dokumente për Çamërinë", "Rezistenca e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore", "Indoktrinimi komunist", "Shqiptarët midis Lindjes dhe Perëndimit" etj. 

Në këtë aktivitet, të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (ASH) dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, marrin pjesë përfaqësues të enteve botuese, të institucioneve dhe të universiteteve publike. Panari do të vijojë deri ditën e nesërme, më datë 24 prill. Publiku do të ketë mundësi të njohë e të blejë titujt shkencorë më të përzgjedhur.