25/11/2022

Me pushkë e penë për mëmëdhenë

Në prag të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) i është bashkuar organizimit kremtues të Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon (UBSHR). Në bashkëpunim me UBSHR-në, DPA-ja paraqiti sot, në orën 18:00, në ambientet e Pallatit të Brigadave, ekspozitën e titulluar “Pushkë e penë për mëmëdhenë”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, zëvendëskryministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, drejtoresha e UBSHR-së, Andriola Kambo, akademikja Kaliopi Naska, urbanisti Përparim Rama, kryetarë bashkish dhe komunash në rang vendi dhe rajoni, qytetarë dhe dashamirës të shumtë të historisë. I pranishëm si përfaqësues i DPA-së ishte Drejtori i Trajnimeve dhe i Inspektimeve, Endrit Musaj.

Fjala përshëndetëse e aktivitetit u mbajt nga kryebashkiaku Veliaj. Gjatë aktivitetit, iu akorduan medaljet e mirënjohjes studiueses Naska dhe politikanes Jahjaga, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre.

Në ekspozitën përgatitur me dokumente të papublikuara më parë, pjesë e trashëgimisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), DPA-ja shpalosi informacione lidhur me kryengritjet e veriut (në Kosovë, në Malësi dhe në Ulqin), qendresën antiosmane në jug dhe në zonën qendrore të vendit, si edhe mbi kontributin e motrave Qiriazi dhe të ish- drejtoreshës së shkollës femërore të Gjirokastër, Urani Rumbos, në hapjen dhe në hovin e shkollave shqipe.

Mes materialeve të ekspozuara bëjnë pjesë dokumentet e poshtëpërmendura:

📌 Biografi e Ali Pashë Gucisë, e Kostandin Kristoforidhit, e Themistokli Gërmenjit etj;
📌 Informacion mbi shpalljen e Pavarësisë në Krujë, në Tiranë dhe në Lushnje;
📌 Biografi e Dora d’Istrias (dukesha Helena Koltsova-Massalskaya, Elena Ghica -Gjika)
📌 Lufta për emancipimin e bijave të shqipes. Kujtime nga Sevasti Qiriazi.
📌 Letër e Parashqevi Qirjazit, drejtuese e shoqërisë së shqiptarkave “Yll i mëngjesit”.
📌 Mbi shkollën shtetërore. Kërkesë e drejtoreshës së shkollës femërore Gjirokastër, Znj. Urani Rumbo
📌 Fotoja zyrtare e Ismail Qemalit.

Për të përftuar më tepër infomacion lidhur me veprimtarinë apo nismat e ndërmarra dhe të jetësuara nga DPA-ja, vizitoni faqen tonë zyrtare www.arkiva.gov.al.