6/2/2023

Konferenca e VII-të Mbarëkombëtare e Arkivistikës

Pas Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit dhe Boletinit, Manastiri do të jetë ndalesa e radhës për edicionin e përvitshëm të Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) së bashku me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup) dhe Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe (Manastir), organizon Konferencën e VII-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës në datat 10-11 qershor 2023.

DPA-ja ka kënaqësinë të ftojë studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe të marrin pjesë në konferencë me studime, ide dhe me propozime të larmishme. Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, kjo ftesë për pjesëmarrje u drejtohet të gjitha profileve të tjera të arkivistëve, historianëve e studentëve dhe veçanërisht institucioneve që ruajnë, apo që ndërveprojnë për ruajtjen e kujtesës kolektive.

Qëllimi i konfere ncës është mundësimi i një pikëtakimi mes ekspertëve dhe studiuesve të arkivave të trojeve shqiptare dhe të arkivave të rajonit, të cilët mblidhen për të diskutuar periodikisht për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe për vizionin e punës së arkivave në realitet e sotme.

Temat e propozuara për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, të drejtat e njeriut dhe me historinë e arkivave apo të institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse. Disa prej titujve të sugjeruar në funksion të orientimit të të interesuarëve lidhur me fokusin kërkimor, janë:

-  Crowd sourcing: konteksti dhe metadatat e dokumenteve të krijuara prej përdoruesit
-  Automatizimi i arkivave dhe etika
-  Siguria kibernetike dhe administrimi i të dhënave
-  Risitë digitale dhe shfrytëzimi i dokumentacionit
-  Zhvillimi i njëtrajtshëm përmes bashkëpunimit me komunitetin
-  Trashëgimia arkivore e përbashkët, përtej kufijve gjeografikë
-  Arkivat, përgjegjësia, aksesi në të dhënat dhe mbrojtja e të dhënave personale
- Bashkëpunimi rajonal në fushën e arkivave dhe trashëgimisë kulturore arkivore
-  Trafiku ilegal i trashëgimisë dokumentare
-  Etika dhe arkivat
-  Ndryshimet klimaterike dhe arkivat
-  Trajnimi arkivor dhe përmirësimi profesional
-  Turizmi dhe promovimi i arkivave

Abstraktet e punimeve do të pranohen deri më datë 31 mars 2023 në shqip dhe në anglisht. Abstraktet mund t’i dërgoni në faqet zyrtare të dy institucioneve arkivore homologe, dpa@arkiva.gov.al dhe ark.kosoves@rks-gov.net.

Për informacione të mëtejshme, ju ftojmë të konsultoni njoftimet e përditësuara në faqet web të DPA-së www.arkiva.gov.al dhe të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës asha-ks.net/.