25/6/2022

Kënde arkivore për arbëreshët e Italisë

Nisma e Drejtorisë së Përgjithshme e Arkivave i kalon përsëri kufijtë e vendit. Këtë herë duke çelur Kënde Arkivore në Italinë e Jugut. Në bashkëpunim me autoritetet lokale të Italisë së Jugut, u përuruan 4 kënde, në Frasnitë, në Universitetin e Kalabrisë, në atë të Palermos si dhe Këndin në Horën e Arbëreshëvet (Arkivi Dioqezan).

Këto katër pika takimi janë të lidhura në mënyrë elektronike me Arkivin Qendror dhe shërbimi është i njëjtë si në Sallën e Studimit në Tiranë. Lehtësi kjo që i vjen në ndihmë studentëve, studiuesve dhe kujtdo të interesuari për të lundruar në dokumentet që administrohen në Arkivi Qendror Shtetëror.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido së bashku me drejtorin e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), Armando Boçe, prezantuan platformën online dhe të gjithë funksionimin e këtij sistemi i cili tanimë po shtrihet edhe përtej vendit. 

Ky aktivitet i rëndësishëm është mundësuar falë mbështetjes së çmuar të Françesko Altimari, Matteo Mandala, Don Enzo Cosentino dhe Mikele Kometa.