14/9/2022

Kënd Arkivor në Kuçovë

Nisma e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) për çeljen e Këndeve Arkivore kudo ku jetojnë shqiptarë, është shtrirë së fundmi edhe në Kuçovë. Në bashkëpunim me autoritetin lokal, Bashkinë e Kuçovës, DPA-ja mundëson tanimë qasje barazitare në dokumente edhe për studiuesit e atjeshëm.

Inaugurimi i Këndit Arkivor në ambientet e bibliotekës së qytetit, u krye nga kreu DPA-së, Ardit Bido dhe nga kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Në shpjegimin e hapave që duhen ndjekur për regjistrimin e studiuesve dhe për adresimin e kërkesave të tyre, Bido nënvizoi se falë çeljes së Këndit Arkivor, çdo studiues merr shërbim ekuivalent, sikur të ishte i pranishëm në Sallën e Studimit në Tiranë.

Për të përftuar qasjen falas në materialet arkivore, hulumtuesi duhet të regjistrohet më parë në rrugë online në adresën katalogu.arkiva.gov.al, pa qenë e nevojshme të paraqitet në mjediset e Këndit Arkivor. Mandej, kërkesa e depozituar prej tij për hapjen e një llogarie, do të aprovohet brenda harkut të një dite pune.

Ndërkohë, përmes postës elektronike aplikuesi do të pajiset me fjalëkalimin që i mundëson aksesimin e dosjeve të porositura, në ditën e përzgjedhur nga vetë ai. Këto materiale do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune, kohë gjatë të cilës studiuesi mund t’i konsultojë në Këndin Arkivor.

Kjo nismë e DPA-së ka trajtë mbarëkombëtare dhe është shtrirë deri më tani në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë.