18/5/2022

Historiku i krijimit të Bankës Kombëtare dhe profili i Dhimitër Paskos si bankier

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Muzeun e Bankës së Shqipërisë (BSH), paraqiti ditën e sotme, datë 18 maj 2022, dy ekspozita mbi rrugëtimin e përshkuar për krijimin dhe konsolidimin e institucionit qendror financiar shqiptar. 

Përgjatë fashës orare 09:00-18:00, duke iu drejtuar mjediseve të Muzeut të BSH-së, publiku kryeqytetas ka mundësinë të marrë pjesë në prezantimin e dy ekspozitave të përkohshme me dokumente historike të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), të titulluara si vijon: “Përpjekjet e shtetit shqiptar për krijimin e bankës kombëtare shqiptare përgjatë viteve 1913-1925” dhe “Dr. Pas/Mitrush Kuteli, figura e tij si ekonomist dhe bankier”. Të pranishëm në çeljen e ekspozitave ishin Drejtoresha e Komunikimit në DPA, Elsa Saka, specialistë të institucionit, si edhe Përgjegjësja e Zyrës së Muzeut në BSH, Shpresa Lubonja.

Përkatësisht, narrativa e krijimit të Bankës Kombëtare Shqiptare në harkun e vjetëve 1913-1925, bazohet në një sërë dokumentesh, sikurse: 

Korrespondenca me Ministrinë e Financave për krijimin e bankave private dhe shtetërore në vend; Projektligji organik mbi Bankën e Shqipërisë, hartuar nga Komisioni Ekonomik i Lidhjes së Kombeve; Projektligji mbi shtypjen e kartëmonedhës dhe krijimin e Bankës Kombëtare; Vendimi i Këshillit të Ministrave për marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, mbi formimin e Bankës Kombëtare; Marrëveshja e grupit financiar italian me qeverinë shqiptare për krijimin e Bankës Kombëtare Shqiptare, mbi financimet e shoqërisë "SVEA" etj. 

Ndërsa, ekspozita e dytë e ndërtuar në trajtën e profilit të ekonomistit dhe të bankierit Dhimitër Pasko, paraqet ndër të tjera: 

Emërimin e Paskos si konsulent teknik prej Komitetit Ekzekutiv të Bankës Kombëtare; një analizë ekonomike të Paskos mbi çmimet në Shqipëri dhe pasuritë natyrore të Kosovës të shfrytëzuara nga italianët; një studim të bankierit mbi shqiptarizimin e Bankës Kombëtare. 

Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve. Muzeu i BSH-së do të jetë i hapur për publikun e interesuar lidhur me ekspozitat deri ditën e premte, më datë 20 maj 2022. Hyrja është e lirë.