21/11/2024

“Dorëshkrimet e Kadaresë” në Ditët e Alfabetit

Në kuadër të kremtimit të Ditëve të Alfabetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), ka prezantuar ekspozitën me dorëshkrimet e “gjeneralit” të pavdekshëm të letrave shqipe, Ismail Kadaresë.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën “Kongresi i Drejtshkrimit”, ishin të pranishëm zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Znj. Kaltrina Zekolli Shaqiri, Drejtori i Përgjitshëm i Arkivave, Z. Ardit Bido, drejtuesi i ITSHKSH-së, Z. Skënder Asani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Z. Denion Meidani, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të veprës së Kadaresë.

Në fjalën përshëndetëse, Asani u shpreh se kjo ekspozitë është produkt i një angazhimi ndërinstitucional, që ka për qëllim nxjerrjen në pah të veprimtarisë së Kadaresë, në këtë përvjetor me rëndësi për kombin. “Vetëm pak muaj pas vdekjes së Kadaresë po prezantohet një ekspozitë me dorëshkrimet e tij, falë bashkëpunimit të ndërsjelltë me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. E gjithë veprimtaria e Ismail Kadaresë është një trashëgimi kulturore. Ditët e Alfabetit i kushtohen veprimtarisë shkencore dhe atdhetare të shkrimtarit. Tiranë, Prishtina dhe Shkupi kanë obligimin që trashëgiminë kulturore që na ka lënë Ismail Kadare, ta shndërrojmë në institucione me krijimin e organeve të veçanta, që do mbajnë emrin e tij”, u shpreh kreu i ITSHKSH-së.

Në fjalën e mbajtur, Bido nënvizoi se përmes penës së Kadaresë shpaloset një portret i identitetit kombëtar, që sikurse u dëshmua në Kongresin e Manstirit, është i pajtueshëm me vlerat europiane. “Përcjellim identitetin kombëtar përmes dorëshkrimeve të Kadaresë, i cili dëshmoi me veprën e tij se bëhet fjalë për një identitet burimor, që ka të gjithë forcën e brendshme për të mbijetuar. Vdiq Ismail Kadareja, si individ, por Kadareja, shkrimtari i madh, nuk do të vdesë kurrë falë veprave që ka botuar, por edhe falë këtyre dorëshkrimeve të paraqitura në ekspozitë, të cilat na tregojnë jo vetëm linjën e tij të mendimit gjatë procesit krijues, por edhe kontributin që pati në ndikimin e elitës franceze, lidhur me Luftën e Kosovës. Ky identitet është i lidhur edhe me Ditën e Alfabetit që tregoi vlerat europiane të shqiptarëve. Në Kongresin e Manastirit, ishte Europa e vëllazërisë fetare, ku komunitetet fetare shqiptare u bashkuan për të gjetur një dakordësi se cili do të ishte alfabeti i gjuhës shqipe. Shqiptarët arritën kompromisin e vështirë, për të zgjedhur dy alfabete, duke patur largpamësinë se njëri prej tyre do të triumfonte. Nga ana tjetër, kishte vlerën europiane të barazisë gjinore, me pjesëmarrjen e Parashqevi Qiriazit, i vetmi individ shqiptar që gjendet në Kongresin e Manastirit, në Konferencën e Paqes në Paris dhe në procese të tjera shtetndërtuese. Ky Kongres tregon mbi të gjitha që identiteti ynë nuk është dhunues. Ne sot tregojmë më së miri që identiteti ynë nuk është identitet kundër një tjetri”, përfundoi Bido.

Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Pjesë e ekspozitës janë po ashtu:

-Dorëshkrimi i romanit të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë ndërkombëtare të pafrerë;

-Dorëshkrimet e romaneve më të lakuara dhe polemike, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Përbindëshi”;

-Dorëshkrimet e dramës “Stinë e mërzitshme në Olimp” dhe të sprovës letrare “Dantë i pashmangshëm”, ku narrativa përcillet mes mitit dhe bashkëkohësisë;

-Dorëshkrimet e romaneve “Prilli i thyer” dhe “Kush e solli Doruntinën”, që portretizojnë Shqipërinë zakonore;

-Dorëshkrimet e romaneve “Piramida” dhe “Qorrfermani”, që paraqesin alegorinë e një sistemi totalitar;

-Dorëshkrimi i librit “Ra ky mort e u pamë”, shkruar në formën e një ditari mbi Kosovën;

-Dorëshkrimet e romanit “Lulet e ftohta të marsit” dhe të sprovës letrare “Mosmarrëveshja”, të cilat ravijëzojnë Shqipërinë përballë vetes.

Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës. Ekspozita “Dorëshkrimet e Kadaresë” e pati premierën më 14 nëntor 2024 në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë. Dokumentet nga krijimtaria e ngjeshur e shkrimtarit, u dorëzuan pranë DPA-së në shtator të këtij viti, në kuadër të një marrëveshjeje me familjen Kadare.