13/9/2022

Dhimitër Pasko në dokumentet e AQSH-së

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit, paraqiti sot ekspozitën mbi figurën shumëplanëshe të Dhimitër Paskos, të popullarizuar më gjerë me emrin e krijimtarisë, Mitrush Kuteli.

Në këtë aktivitet, të zhvilluar në mesditë në Sallën e Qendrës Kulturore qenë të pranishëm kreu i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido, kryebashkiaku i Pogradecit, Ilir Xhakolli, nënkryetarja e njësisë së qeverisjes vendore, Entela Gusho, i biri i shkrimtarit, Pandeli Pasko, akademikë, qytetarë dhe dashamirës së letërsisë shqipe. Fjala përshëndetëse u mbajt nga Gusho, e cila risolli në vëmendje plejadën e krijuesve të qytetit liqenor, bashkëkohës të Paskos, që kanë kontribuar në zhvillimin kulturor të mbarë vendit.

Në ligjëratën e tij për mediat, Bido nënvizoi se në dokumentet arkivore të përzgjedhura për ekspozim, paraqitet figura poliedrike që Pasko përfaqësonte. "Është një përzgjedhje e dokumenteve më të rëndësishme mbi Dhimitër Paskon, si prozator, si ekonomist dhe si i angazhuar në politikë për hir të atdhedashurisë. Këto dokumente tregojnë dimensionet e figurës së tij. Ndërsa, materiale të tjera lidhur me Paskon, janë të qasshme për publikun vendas në Këndin Arkivor të çelur në Pogradec. Në këtë mënyrë, do të mund të njihet më gjerë krijimtaria dhe veprimtaria e Paskos, duke u dhënë shtysë edhe hulumtimeve të mëtejshme."- tha Bido.

Në aktivitet mori fjalën edhe i biri i shkrimtarit të ndjerë, i cili vlerësoi me nota patosi ekspozitën e paraqitur, duke theksuar rëndësinë e informacioneve të evidentuara rishtazi, për të depërtuar më lehtësisht në tërësinë e figurës së Paskos. "Ekspozita përfshin shumë përmbajtje. Ka një kërkim të imët. Falenderoj nga zemra Z.Bido dhe bashkëpunëtorët e tij për këtë punë kaq të kujdesshme. Kjo ekspozitë tregon Kutelin e madh dhe njerëzor. Merren të dhëna për të qëmtuar më tej."- u shpreh Pandeli Pasko.

Pranë ambienteve të Qendrës Kulturore, publiku pati mundësinë të njihej me dokumentet arkivore të ekspozuara që shpalosin krijimtarinë e Paskos, si edhe hedhin dritë mbi profilin e tij në rolin e ekonomistit dhe të bankierit. Mes materialeve të përzgjedhura, pjesë e pasurisë dokumentare të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), gjendeshin:

Krijimet “Balta Shqipëtare”, “Do desha të vdes” (mars 1946); Publikimet në faqet e Revistës Letrare, siç janë: “I vdekuri dhe i gjalli” (shkurt 1944), “Poemi i Shëndaumit” (maj 1944), “I pasuri që ish i varfër fort” (korrik 1944);  Kartolina të Paskos drejtuar Lasgush Poradecit, analiza e veprës së poetit “Ylli i zemrës”, botuar në kujdesin e Kutelit; Rehabilitimi i figurës së Kutelit në regjimin totalitar: kërkesë e Kutelit drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu për leje krijimtarie dhe letra e Shehut drejtuar ministrit të Arsimit dhe të Kulturës të kohës, Manush Myftiu, për akordimin e lejes së kërkuar; Emërimi i Paskos si konsulent teknik prej Komitetit Ekzekutiv të Bankës Kombëtare; Analizë ekonomike e Paskos mbi çmimet në Shqipëri dhe pasuritë natyrore të Kosovës të shfrytëzuara nga italianët dhe studimi i bankierit mbi shqiptarizimin e Bankës Kombëtare.

Ky aktivitet, që u zhvillua në kuadër të 115-vjetorit të lindjes së Paskos, u përmbyll me dramatizimin e krijimeve të këtij themeluesi të prozës moderne shqipe.