11/6/2022

Arkivistët mblidhen tok në Boletin

Në vazhdën e një tradite tanimë solide, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), zhvilluan sot punimet e Konferencës së VI-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës. 

Ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave të rrjeteve arkivore kombëtare u bënë bashkë në Boletin për të diskutuar mbi problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetin e sotëm. Fjala përshëndetëse e konferencës u mbajt nga Drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Prof. Asoc. Dr. Ardit Bido dhe homologu i tij, kreu i ASHAK-ut, Mr. Sc. Bedri Zyberaj. 

Synimi i kësaj konference periodike është lëvrimi i lëmit të arkivistikës si shkencë e posaçme, të mëvetësuar nga historia apo shkenca të tjera të përafërta. Për më tepër, përmes shkëmbimit të risive të fushës në fjalë në sinergji mes dy institucioneve arkivore simotra, sfidohen kufijtë shtetërorë dhe evokohet unitetit i kombit shqiptar. 

Në fokus të kumtesave të mbajtura qenë çështjet që mbulojnë arkivat, përgjegjësinë, aksesin në të dhëna, mbrojtjen e të dhënave personale, bashkëpunimin rajonal në fushën e arkivave, trashëgiminë kulturore arkivore, trafikun ilegal të trashëgimisë dokumentare, etikën dhe arkivat, trajnimin arkivor, si dhe turizmin dhe promovimin e arkivave. Në përfundim të konferencës, kumtuesit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje. 

Ndalesat ku janë zhvilluar konferencat e mëparshme kanë qenë respektivisht Tirana, Prishtina, Shkupi, Saranda dhe Tuzi. Ky bashkëpunim i përvitshëm kurorëzohet me botimin e revistës “Arkivat Shqiptare”, e cila përfshin punimet e përgatitura prej kumtuesve. Revista e përbashkët, që është e vetmja në fushën e arkivave në mbarë trojet shqiptare, ka një origjinë të hershme në botimet e vazhdueshme të institucioneve homologe përgjatë 57 vjetëve të fundit.