Arkivat shëtitëse ankorohen në Durrës
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) vijon turin shëtitës të një prej ekspozitave të saj më të suksesshme, “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.
Durrësi ishte ndalesa e radhës, ku DPA-ja u ankorua në përmbushje të angazhimit për të promovuar trashëgiminë dokumentare të kombit.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, DPA-ja shfaqi në një nga sheshet e qytetit ekspozitën, që na rrëfen përmes fotografive galerinë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.
Mes materialeve të ekspozuara, gjendeshin imazhe të:
-Figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare);
-Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut;
-Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e mesme;
-Kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e jugut;
-Kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve;
-Kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume vajzash).